Lajme të Fundit

449 – TRIUMFI I MAFIES POLITIKE APO HIJET E NJE MISTERI

 

 

 

 

Mrsc Besim DERVISHI

 

Numri 449 i cili përbëhet nga numri katër dhe nëntë, në fushën e numerologjisë konsiderohet një numër me fat. Ndërsa në Shqipëri sic duket po konsiderohet një numër me fat për mafien politike. Ditët e fundit media dhe e ashtëquajtura “Shoqëri Civile” ka vënë alarmin se pushteti okult, pushteti i “forcës së gjërave”, ka miratur ndryshimin e nenit 449 të Kodit të Procedurës Penale. Ky akt deshifrohet si një amnisti për mafien politike. Ndërkohë pas ketij veprimi të Kuvendit Popullor, ka ardhur reagimi i vakët dhe nga kreu i ekzekutivit shqipëtar i cili e ka cilsuar reagimin e medias dhe Shoqërisë Civile si  “përralla të një nate vere”. Por media ka shkuar dhe më tej. Ajo ka publikuar Procesverbalin e Seancës Plenare të datës 30 Mars 2017 si dhe ka intervistuar autor të hartimit të këtij neni. Hijen e misterit e shtonë më tepër fakti se nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Kuvendi Popullor. Si do që të jetë e vërteta  në këtë amulli politiko-juridike, të bënë përshtypje dhe heshtja e opozitës. Kjo është një heshtje që flet shumë dhe shqipëtarëve ju bënë të qartë se kur interesat e grupeve partitokrate të cilat dominojnë sot jetën politiko- ekonomiko- financiare të vëndit, përputhen, aty mund të kapitulloj demokracia. Gati të gjitha mediat qoftë ato pranë ekzekutivit dhe ato pranë opozitës e kanë pasqyruar këtë informacion.

Në këtë “terr informativ” egzistojnë disa variante. Një variant është se ky informacion është hedhur nga mediat pranë opozitës për të ngjallur pakënaqësi dhe për të ngritur kauza për militantët e saj. Por këtë variant e rrëzon vetë heshtja e opozitës shqipëtare. Varianti i dytë është se vetë pushteti i ka servirur mediave pranë tij një lajm gati të rremë i cili mund të jetë joshës për opozitën dhe e ftonë atë të braktisi cadrën e ngritur në sheshin përballë pallateve të pushtetit. Ndërsa varianti i tretë është se ky ndryshim ka ndodhur me të vërtet në seancën e errët të 30 Marsit. Pas publikimit të procesverbalit të seancës, intervistës së hartuesve të këtij ndryshimi, mbetet të besohet ky variant ndonëse nuk është publikuar asgjë në Fletoren Zyrtare. Deri këtu nuk ka ndonjë gjë për tu cuditur sepse shqipëtarët janë mësuar me “procka” më të rënda të kësaj klase politike. Cudia qëndron se nga juristët  të cilët e kane hartuar këtë nen, por dhe nga deputetët jurista të Komisionit të Ligjeve janë hedhur poshtë propozimet e EURALIUS për ashpërsimin e këtij neni dhe është miratuar varianti i tyre me  arsyetimin juridik se, neni i vjetër 449 rëndon pozitat  e të pandehurit. Ky është një arsyetim diletant i cili nuk i lejohet një studenti nën nivelin  mesatar të Fakultetit Juridik dhe jo disa juristëve me përvoj në fushën e ligjeve. Le të arsyetojmë pak duke përmendur disa akte juridike ndërkombëtare dhe te brëndëshme.  Neni i vjetër 449 ishte:

“Vendimet e pafajësisë për krime mund të rishikohen me kërkesën e prokurorit, por me kusht që të mos kenë kaluar 5 vjet nga dhënia e vendimit.”

Ndërsa  në variantin e ri sipas mediave dhe Shoqërisë Civile por dhe hartuesve të këtij Neni ai u ndryshua në këtë form:

“Nuk lejohet rishikimi i vendimit të pafajësisë dhe as rishikimi i vendimit të dënimit kur synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit.”

Sipas mediave dhe Shoqërisë Civile, arsyetimi juridik i antarëve të Komisionit të Ligjeve  pro ndryshimit të këtij neni  bazohej tek gjoja standartet e BE, sepse sic dihet një nga kushtet e BE ështe përshtatja e   ligjeve te brëndëshme të shtetit kantidat për në BE me   ligjet e vetë  BE-së. Dhe se ky nen rëndonte pozitat e të dënuarit veprim që sipas tyre është kundër kartave ndërkombëtare si  dhe lirive dhe të drejtave të njeriut që garantohen me aktet juridike të brëndëshme.  Si fillim  duhet sqaruar se në Procedurën Penale të RSH por dhe në procedurat penale të vëndeve  të konsoliduara demokratike, egzistojnë dy lloje të mjeteve juridike me anë të të cilave goditen vendimet e gjykatave. Një llojë janë mjetet e rregullta juridike forma më klasike e të cilave është ankesa. Si dhe mjetet e jashtëzakonshme juridike në të cilat futen përsëritja e procedurës si dhe rishikimi i procedures (në legjislacionin e disa shteteve demokratike rishikimi i procedurës ndahet në dy lloje, rishikim i drejtë dhe rishikim jo i drejtë, në këto vënde ndryshojnë vetëm afatet juridike të përdorimit të mjeteve të jashtëzakonshme). Për të ndryshuar këtë nen duhet ndryshuar në fillim Neni 34 i Kushtetutës së RSH i cili thotë se: “Askush nuk mund të dënohet më shumë se një herë per të njëjtën vepër penale dhe as të gjykohet sërish, me përjashtim të rasteve kur është vendosur rigjykimi i çështjes nga një gjykatë më e lartë, sipas mënyrës së parashikuar me ligj”. Ndërsa vetë cështjet e Rigjykimit janë parashikuar me ligj po ne KPP në Nenin 450 Rastet e Rishikimit i cili thotë se: “Rishikimi mund të kërkohet:  a) kur faktet e vëna në themel të vendimit nuk pajtohen me ato të një vendimi tjetër të formës së prerë;  b) kur vendimi është bazuar në një vendim të gjykatës civile, i cili është revokuar më pas;  c)  kur pas vendimit kanë dalë ose janë zbuluar prova të reja, të cilat vetëm ose së bashku me ato që janë vlerësuar njëherë, tregojnë se vendimi është i gabuar;  ç) kur vërtetohet se vendimi është dhënë si pasojë e falsifikimit të akteve të gjykimit ose të një fakti tjetër të parashikuar nga ligji si vepër penale.” Pra  politikanë duke ndryshuar nenin 449 dhe lënë në fuqi nenin 450 i cili eshte në sinkron me nenin 34 të Kushtetutës automatikisht e nxjerin ndryshimin e nenit 449 një nen antikushtetues. Sa për argumentimin se Neni i vjetër 449 ishte kundër parimeve të BE si dhe rëndonte pozitat e të dënuarit, ky është një arsyetim i pasakt juridik.  Eshtë e vërtet se kur përdoret mjeti juridik si Ankesa, gjykata më e lartë nuk duhet të japi një vendim që rëndon pozitën penale ose civile të të pandehurit, por kjo ndodh atëhere kur i dënuari ose pandehuri konsumon vetë (ose me anë të Mbrojtësit të Autorizuar i cili është Avokati) të drejtën e përdorimit të Ankesës si mjet i rregullt juridik. Ndërsa në rastin se këtë mjet juridik e përdor Paditësi i Autorizuar e cila është Prokuroria, atëhere gjykata më e lartë mund të japi një vendim që rëndon pozitën penale të dënuarit. Kjo është e paraparë në nenin Neni 425 të KPP,   kufijtë e shqyrtimit të çështjes i cili thotë se:  “Gjykata e apelit e shqyrton çështjen në tërësi dhe nuk kufizohet vetëm me shkaqet e paraqitura në ankim. Ajo shqyrton edhe pjesën që u takon bashkëtëpandehurve që nuk kanë bërë ankim brenda kufijve që referojnë shkaqet e ngritura në ankim.  2. Kur apelues është prokurori, gjykata  e apelit:  a) mund t’i japë faktit një cilësim juridik më të rëndë, të ndryshojë llojin ose ta rrisë masën e dënimit, të ndryshojë masat e sigurimit dhe të marrë çdo masë tjetër që urdhëron ose lejon ligji;  b) mund t’i japë dënim atij që është deklaruar i pafajshëm, t’i japë pafajësi për një shkak të ndryshëm nga ai që pranohet në vendimin e apeluar, të marrë masat e treguara në shkronjën “a”;  c) mund të zbatojë, të ndryshojë ose të përjashtojë dënimet plotësuese dhe masat e sigurimit.  3. Kur apelues është vetëm i pandehuri, gjykata nuk mund të caktojë një dënim më të rëndë, të zbatojë një masë sigurimi më të rëndë, t’i japë pafajësisë një shkak më pak të favorshëm nga ai i vendimit të apeluar.”  Gjithashtu  në KPP ky nen për tu bërë më i kuptueshëm  ilustrohet me një  Vendimi të Gjykatës Kushtetuese nr. 96, datë 27.7.2001  e cila është shprehur  se:

“Është e vërtetë që me ankimin e tij të pandehurit nuk mund t’i rëndohet pozita, por ky parim shërben si garanci kur mjetin e ankimit e ka përdorur i pandehuri dhe nuk mund të shërbejë si i tillë kur mjetin e ankimit e ka përdorur prokurori.”

Pra është e qartë se pozita e të pandehurit mund të rëndohet  kur mjetin juridik e përdorë Prokurori dhe se  nuk rëndohet kur e përdor vetë i pandehuri ose i dënuari. Lind pyetja, përse hiqet Rishikimi i Procedurës me këtë argument kur edhe Ankesa e përdorur nga Prokurori rëndon pozitën e të pandehurit? Sipas kësaj llogjike duhet hequr dhe Ankesa si mjet juridik se dhe kjo kur përdoret nga Prokurori rëndon pozitat e të dënuarit?  E dyta përse argumentohet se Neni  i vjetër  449  ishte kundër parimeve të BE kur vete Konventa Europiane e vitit 1955 në Nenin 4 -Protokolli Nr. 7 të Konventës për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore, Strasburg,miratuar në 22 Nëntor 1984 thotë se:

“…E drejta për të mos u gjykuar ose dënuar dy herë 1. Askush nuk mund të ndiqet ose të dënohet penalisht nga juridiksioni i të njëjtit Shtet për një vepër për të cilën ai më parë ka qenë shpallur i pafajshëm ose dënuar me një vendim gjyqësor të formës së prerë, në përputhje me ligjin dhe procedurën penale të atij Shteti. 2. Dispozitat e paragrafit të mësipërm nuk pengojnë rihapjen e procesit, në përputhje me ligjin dhe procedurën penale të Shtetit të interesuar, në rast se fakte të reja ose të zbuluara rishtazi, ose një mangësi themelore në procedimet e mëparshme janë të një natyre të tillë që mund të cenojnë vendimin e dhënë.” Pra ky Protokoll e njeh mjetin e Jashtëzakonshëm Juridik të Rishikimit dhe ligji i Procedures Penale të RSH  i ka të përcaktuar qartë pikat se kur përdoret kjo e drejtë në nenin 450. Atëhere përse  deputetët jurista të Komisionit të Ligjeve thonë se Rishikimi është kundër standarteve të BE? Le ta mbyllim këtë analiz duke cituar Nenin 8 të Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut miratuar në Dhjetor 1948: “Gjithkush ka të drejtë për mjete juridike të frytshme para gjykatave kompetente kombëtare për veprimet me të cilat shkelen të drejtat themelore të garantuara nga kushtetuta ose ligjet.”

Na Ndiqni dhe pëlqeni faqen tonë
0

Leave a comment

Your email address will not be published.


*


Shpërndajeni Nëse Ju Pëlqen!