Lajme të Fundit

Blasfemi me Pazarin e Ri

Gentian Kaprata – Urbanism & Democracy  

Demagogjia e qeverisjeve të Rilindjes ka arritur në atë nivel force sa është e rrezikshme për këdo ekspert të bëj oponencën teknike të punëve të saj. Sot kemi një television të Kryebashkiakut që po punon të mbysi edhe frymën e fundit të lajmit të prodhuar nga burime të pavaruara. Kemi, gjithashtu, edhe televizionin e Kryeministrit (Edi Rama TV) i cili bën apsolutisht të panevojshëm ndjekjen e televizioneve të tjera. Në këtë realitet, kuptimi publik mbi ngjarjet në qytet e ka të pamundur të ndikohet nga mendime teknike alternative, dhe nëse aksidentalisht kjo ndodh, opinionet rrokin vlerën e blasfemisë dhe mbartësit e tyre marrin fizionominë e blasfemuesit.  

Të blasfemosh në kohëra “besimesh të mëdha” është shumë e rrezikshme. Por ne e kemi bërë prej vitesh, dhe do vijojmë ta bëjmë edhe sot me projektin e fundit të Rilindjes, Pazarin e Ri! Projekt që propaganda po na e shet për arritjen më të madhe të artit dhe shkencës së urbanistikës së aplikuar. Sigurisht që nuk do flasim për dimensionin artistik, përderisa kemi pranuar që e bukura është eksperiencë individuale. Kur një bashkëshorti i vunë në dyshim bukurinë e gruas, ai tha: ‘merrni sytë e mi e shikojeni’! Ne nuk do marrim sytë e tyre për ta vlerësuar (megjithëse e bukura ka rregullsitë e veta), por do fokusohemi te vlefshmëria publike e këtij projekti urban.

Nuk do sillnim asnjë të re nëse do thonim se përzgjedhja për të investuar në këtë projekt është një vendimmarrje e fragmentarizuar. Të gjithë e dimë se Tirana nuk ka akoma një Plan të Përgjithshëm Vendor të miratuar më Vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe ky bllok urban nuk ka një studim pjesor (në detajim të Planit) të miratuar me Vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit! Ky fakt e bën këtë projekt, sikurse të gjitha punët publike në Tiranë (këndi i lojrave te Parku i Liqenit; Stadiumi Kombëtar; sheshi Skënderbej; Bulevardi i Ri) të paligjshëm (për aq sa vlen legjitimiteti në këto kohëra Rilindase), por nuk ja mat dot vlefshmërinë publike.

Vlefshmërinë ja mat përgjigjja e pyetjes së parë për cdo vendimarrje për investime publike: a përmbush ky projekt nevojën më akute të bllokut? Kushdo që e njeh zonën e di që blloku është më i vjetri i mbetur në qytet. Elementët kryesorë urbanë na vijnë, përgjithësisht por jo vetëm, nga fillim shekulli i kaluar: shtëpi qelpici në degradim dhe braktisje, vila të stilit neoklasik të vjetëruara nga koha, pallate të urbanistikës socialiste me sipërfaqe të bashkëpronësisë në mjerim total, pallate shumë katëshe të fillim shekullit tonë që i kanë hipur sipër cdo gjëje ekzistuese, rrjet rrugor i trasuar para 80 vjetesh, infrastrukturë nëntokësore që përfshin edhe ato të qeramikës.

Nëse e projektojmë këtë situatë të mjeruar urbane në brendësinë e shtëpive tona, është e vështirë të gjenden shqiptar që blejnë një televizor ekstra të madh dhe modern për hapsirën e ndenjes kur në aneksin e gatimit i rrjedhin tubacionet e furnizimit me ujë, muret e dhomave të gjumit i janë mykur nga lagështia, apo, në tualet i kanë shpërthyer tubat e largimit të mbetjeve të lëngshme humane. Vështirë të gjenden, sepse vështirë të ekzistojnë shqiptarë që mund të tallen me paratë dhe me banesat e tyre. Përjashtuar tre kryebashkiakët e fundit të Tiranës. Ata munden të tallen me paratë tona dhe qytetin tonë, gjë që nuk do ta bënin kurrë me paratë dhe banesat e tyre.

Vlefshmërinë ja mat, gjithashtu, ndikimi i drejtpërdrejtë i investimin në përmirësimin e situatës urbane. Sot hapsira urbane e prekur nga investimi paraqitet më mirë, porse nga ana tjetër kemi shpenzuar 9.5 milion euro të parave private e publike. Dhe këtu lindin disa pyetje. A është në raport pozitiv përfitimi me shpenzimin? Dukshëm që jo. Eh, sa punë publike bëhen me aq para’! A ndikon në rritjen e aktivitetit të parë (shitjeve)? As që bëhet fjalë. Kush do shpenzonte në një treg vetëm se ka cati prej xhami! A ndikon në lehtësimin e flukseve të lëvizjes? Përkundrazi, ka mbyllur të vetmen rrugë në 800 metra që shërbente për daljen nga shtegu i ngushtë Qemal Stafa.

E fundit, por më e rëndësishmja! A ndikon ky investim në përmirësimin e stilit urban të jetesës qytetare? Nëse ka një të metë që ne si shoqëri ja njohim vetes, është kotësimi nëpër kafene. Shikojeni me kujdes, i rinovuari Pazari i Ri, ka më shumë kafene se njësi shitjesh! Nëse e konstatoni edhe ju këtë fakt, dhe nëse pranojmë se të papunët janë një lloj të punësuarish, atherë z. Veliaj nuk tregonte të rreme kur thoshte se ky projekt ka 1007 të punësuar. Përfundimisht, nëse më pyesni, a është më mirë sot Pazari i Ri, unë ju them se ishte më mirë 20 vite më parë kur Markata e Madhe dhe oborri i saj nuk ishin “rinovuar” me 7 pallate të mbipopulluara 12 katëshe.

Na Ndiqni dhe pëlqeni faqen tonë
0

1 Comment on Blasfemi me Pazarin e Ri

  1. Pervec difekteve qe permendni ju z. Kaprata, ne pazarin e rinovuar te Tiranes mund te shkohet vetem me kembe. Aty nuk shkon dot me makinen tende, se mungon vendi i parkimit. Po ashtu dhe linjat e sherbimit urban nuk te lidhin me te. Tirana e sotme me gati 700-800 mije banore nuk mund ta shfrytezoje kete pazar.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*


Shpërndajeni Nëse Ju Pëlqen!