Lajme të Fundit

Deklaratë për shtyp e Shoqatës së Familjarëve të Viktimave të Gërdecit:I ka ardhur rradha Ramës të kalojë ventingun tonë

Deklaratë për shtyp

 

e Shoqatës së Familjarëve të Viktimave të Gërdecit

 

“I ka ardhur rradha Ramës të kalojë ventingun tonë”

 

Sot, 9 vjet pas tragjedisë së Gërdecit familjarët e viktimave të shpërthimit kanë njohur shumë zhgënjime. Tashmë kemi pasur aq kohë sa të njohim jo vetëm vrasësit, por edhe gënjeshtarët e lajkatarët, dhe kemi kuptuar që e keqja nuk ka ngjyrë politike.

 

Drejtësinë penale ja kemi lënë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe pavarësisht mbrojtjes që kjo qeveri po i bën shkaktarëve të tragjedisë, ne kemi besim se Strasburgu nuk do besojë qeverinë dhe do të jetë i qartë në vendimin e tij.

 

Ndërkohë, gjyqet e dëmshpërblimeve vazhdojnë të ecin përmes pengesave që krijon qeveria e një njeriu që na premtoi se pas 23 qershorit 2013 gjërat do ishin ndryshe. Është po e njëjta qeveri që u pranoi të ekzekutojë vendimet gjyqësore për familjet e viktimave të 21 janarit dhe, pas presioneve, edhe banorëve të Zharrzës, lajme këto që natyrisht gëzojnë të gjithë shqiptarët. Por, në rastin e Gërdecit refuzon të pranojë të njëjtën zgjidhje, duke harruar fjalët e bukura që donte t’i këmbente me votën tonë, si dhe duke harruar që 26 jetët e njerëzve tanë u shuan nga krimi shtetëror.

 

E dimë që Kryeministri Rama do të përsërisë të njëjtin refren për kalvarin e gjyqeve tona, se fajin e paskan gjykatat dhe se po i shkon goja mbrapa duke thënë pse duhet vetingu.

 

Por për gjyqet e dëmshpërblimeve nuk na i ka fajin gjykata. Ashtu siç kjo qeveri dëshiron të bëjë vetingun për gjyqtarët, ashtu edhe ne jemi duke bërë vetingun tonë prej kohësh. Në një masë të madhe gjyqesh, njëri pas tjetrit gjyqtarët e Gjykatës Administrative janë treguar në lartësinë e duhur. Gjyqtarë si Gentian Hamitaj, Eriol Roshi, Emiljano Ruli, Erarbër Madhi, Selvie Gjocaj, Elda Vrioni, Bernina Kondi, Arbena Ahmeti, Gentian Medja, Nafije Hasko, Avni Sejdi, etj. kanë dhënë vendimet e duhura dhe kanë njohur fajësinë e shtetit, megjithëse i gjithë aparati shtetëror i sotëm u angazhua për të rrëzuar këto padi në gjykatë. Edhe Gjykata Administrative e Apelit, me trupën e kryesuar nga kryetari i kësaj gjykate, Kastriot Selita, ka vendosur tashmë dy rastet e para të vulosjes së drejtësisë në favorin tonë, ndërkohë që qeveria nxitoi për t’u ankuar në Gjykatën e Lartë. Dhe për më tepër, theksojmë se këta gjyqtarë, pa përjashtim, nuk na kanë dhënë as më të voglën shenjë se mund të donin ndonjë favor në këmbim të drejtësisë. Thjesht janë treguar korrektë, profesionistë dhe të drejtë.

 

Nga ana tjetër, vetingun tonë nuk po e kalon dot qeveria, e cila mbron shkaktarët e tragjedisë, vonon procedurat duke u ankuar pa fund dhe shtrembëron të vërtetën me të vetmin qëllim që të mohojë gishtin e shtetit në këtë tragjedi, duke mos ndryshuar asgjë nga linja e qeverisë së mëparshme.

 

Sot është vërtet vonë, por jo aq vonë sa Kryeministri Rama të mos gjejë dot pak forcë që të shfrytëzojë shancin e fundit dhe të kalojë vetingun tonë. Sigurisht që ai ka të drejtë të ketë të njëjtin mendim si paraardhësi i tij, por të paktën t’i japë fund futjes së pengesave në rrugën e drejtësisë së pashmangshme dhe t’i hapë rrugë ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.

Na Ndiqni dhe pëlqeni faqen tonë
0

Leave a comment

Your email address will not be published.


*


Shpërndajeni Nëse Ju Pëlqen!