Lajme të Fundit

EKONOMIA, 2017-TA, ASNJË NDRYSHIM NGA VITET QË LEMË PAS

Dr. ENRIKO CEKO

Në çdo fund viti, pasi bëjmë bilancin e vitit që mbyllim hedhim vështrimin për vitin që vjen, duke bërë përpjekje për të krahasuar ç’ka kemi bërë, ç’po bëjmë dhe ç’duhet të bëjmë për të përmirësuar edhe më tej jetën tonë dhe për një zhvillim të qendrueshëm.

Në fakt, për ekonominë shqiptare, qoftë për ekonominë individuale / familjare, qoftë për ekonominë në nivel shtetëror dhe atë në nivel kombëtar, e vetmja gjë që mund të thuhet është fakti se në fillim të viteve “90 të shekullit të kaluar kaluam nga një ekonomi tërësisht e centralizuar në një ekonomi hibride, ku ende shteti ndikon shumë dhe ku liria ekonomike, çështjet e pronësisë dhe standardeve mbeten ende të pazgjidhura dhe / ose me mangësi, shtuar këtu edhe përkeqësimin e parametrave makroekonomikë. Garantimi i pronësisë, funksionimi i lirive ekonomike dhe aplikimi e respektimi i standardeve janë parakushte për zhvillim dhe rritje ekonomike, ndërsa mbajtja nën kontroll e parametrave makroekonomike siguron kushte për operimin në treg të agjentëve ekonomikë dhe bën të mundur që të funksionojnë mënyra e zgjedhur e prodhimit, shpërndarjes dhe konsumit të mallrave dhe shërbimeve të ndryshme midis agjentëve ekonomikë në një territor të caktuar. Niveli i sofistikimit të prodhimit, shpërndarjes dhe konsumit të mallrave dhe shërbimeve midis individëve, familjeve, bizneseve dhe qeverisë tregon edhe nivelin e jetesës dhe nivelin e zhvillimit ekonomik të vendit. Për të patur prodhim, shpërndarje dhe konsum të sofistikuar është e nevojshme që parimet e pronës, lirisë ekonomike dhe standardeve të jenë të qarta, të respektueshme dhe të aplikueshme. Pra, niveli i jetesës së qytetarëve të vendeve të ndryshme të botës dhe zhvillimi i këtyre vendeve është kryesisht në varësi të qartësisë, respektimit dhe aplikimit të parimeve të pronësisë, lirisë ekonomike dhe standardeve dhe krijimi i kushteve për kryerjen e veprimtarive të përshtatshme dhe racionale publike dhe private, duke mbajtur nën kontroll parametrat makroekonomikë.

Një nga karakteristikat dalluese të ekonomisë së tregut është funksionimi i mbrojtjes shtetërore të të drejtave të pronësisë në një sistem formal pronësie, që, në mënyrë të qartë regjistron pronësinë dhe transaksionet që bëhen me pronat. Sistemi i pronësisë, që funksionon, bën të mundur që të ketë më shumë pavarësi të individëve, për të mbrojtur asetet e tyre, pronësi të qartë, të provueshme dhe të mbrojtshme, standardizim dhe integrim të rregullave të pronësisë dhe informacion për pronat në tërë vendin, rritje të besimit për transaksionet ekonomike, mbrojtje më të mirë nga risku i pronësisë, vlefshmëri më të madhe të sistemit të kreditimit të ekonomisë, biznesve dhe individëve e familjeve për investime e projekte të reja, akses më të besueshëm për vlefshmërinë e aseteve dhe gjendjen ekonomike e financiare të agjentëve ekonomikë, dokumentim të të drejtave të transferueshme, që shtron rrugën për strukturat e tregjeve (kryesisht bizneset e ndryshme) për të operuar në mënyrë më të pavarur dhe më të sigurt. Të tëra sa më lart në fund të fundit sjellin rritje ekonomike. Por parimet e pronësisë janë vetëm një nga shtyllat e ekonomisë së tregut.

Një shtyllë tjetër po aq e rëndësishme është liria ekonomike, që ka të bëjë me aftësinë që kanë pjestarët e shoqërisë në një vend të caktuar për të ndërmarrë veprime ekonomike. Këtu ka disa këndvështrime, por, në këndvështrimin e ekonomisë së tregut, liria ekonomike ka të bëjë me lirinë për të prodhuar, tregtuar dhe konsumuar mallra dhe shërbime pa përdorimin e mënyrave të paligjshme. Kjo lidhet me respektimin e ligjit, parimeve të pronësisë, ligjeve të kontratave, etj dhe karakterizohet nga hapja e tregjeve, mbrojtja e të drejtave të pronësisë dhe liria e inciativës ekonomike. Në vendet që ka më shumë liri ekonomike ka standarde më të mira jetese, rritje më të madhe ekonomike, më shumë barazi në të ardhura, më pak korrupsion dhe më pak dhunë politike.

Por këto dy shtylla të ekonomisë nuk mund të jenë të plota dhe nuk mund të sjellin efektet e dëshëruara pa shtyllën e tretë që është ajo e standardeve. Standardet janë dokumenta që reflektojnë kërkesat, specifikimet, udhëzuesit dhe/ose karakteristikat që duhet të përdoren për të bërë të sigurt që proceset, produktet dhe shërbimet të jenë të përshtatëshme për qëllimin për të cilin realizohen, përdoren e aplikohen. Nëse, proceset, produktet dhe shërbimet realizohen sipas standardeve, atëhere, edhe cilësia e tyre është më e garantuar dhe ka më shumë hapsirë për përmirësim të vazhdueshëm në të tëra apektet. Standardet janë mjete strategjike për të reduktuar kostot, minimizuar humbjet e gabimet, duke rritur efektivitetin dhe eficiencën.

Në rastin konkret të Shqipërisë ose asnjë nga këto tre shtylla nuk funksionon ose në rastin më të mirë funksionon keq dhe gjithashtu edhe në rastin kur funksionojnë, ato nuk funksionojnë së bashku në të njëjtin drejtim, për të dhënë efektin e dëshëruar nga pjesa më e avancuar e shoqërisë shqiptare.

Konkretisht, për çështjet e pronësisë, lirisë ekonomike dhe standardeve Shqipëria renditet në vendet e fundit në Evropë dhe në botë, duke bërë që rritja ekonomike dhe zhvillimi i qendrueshëm të jenë të kompromentuar prej një kohe mjaft të gjatë. Nëse vazhdohet ende me këto mendësi, duke dhunuar të drejtat e pronësisë, duke kufizuar lirinë ekonomike dhe duke mos respektuar standardet në të tëra fushat e jetës, ka pak gjasa që ekonomia shqiptare dhe ekonomia jonë individuale e familjare të kenë mundësi për përmirësim në periudhën afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë.

Në thelb, të tre shtyllat ku mbështetet ekonomia e tregut lidhen me dy koncepte shumë të rëndësishme. Drejtësia dhe progresi. Pa drejtësi nuk ka progres dhe pa progres nuk ka drejtësi dhe si rezultat, në këtë fund të vitit 2016, ekonomia shqiptare gjendet midis parametrave ekonomikë të përkeqësuar, me papunësi të lartë (rreth 16 – 17%), me borxh publik të lartë (69 – 70% e GDP), me deficit buxhetor të lartë (rreth 5-6%) dhe me nivel inflacioni (rreth 1 – 2%) që nuk sjell parakushte për zhvillim ekonomik, shtuar këtu rënien e besimit të agjentëve ekonomikë, gjë që e bën vitin 2017 edhe më të pasigurt se viti që po lemë pas. Zgjedhjet për parlamentin shqiptar në qershor të vitit 2017 mund të sjellin një fuzion më të lartë të parasë në qarkullim dhe kjo për shkak të rritjes së numrit të kontratave të prokurimeve publike, por, pas zgjedhjeve, gjendja ekonomike do vijë përsëri në nivelin e këtij fundviti, nëse çështja e pronave, liria ekonomike dhe standardet nuk do jenë prioritet, shtuar këtu edhe daljen jashtë kontrollit të parametrave makroekonomikë, duke bërë që drejtësia dhe progresi të jenë pikëpyetje shumë të mëdha për të tërë shqiptarët.

Nëse bëjmë krahasime me vitet e mëparshme për pronësinë, lirinë ekonomike, standardet dhe parametrat makroekonomikë mund të thuhet se për pothuajse 25 vite nuk kemi bërë pothuajse asgjë, ose gjendja është përkeqësuar edhe më shumë. Konkretisht, problemi i pronësisë nuk është zgjidhur ende sepse çështjet e pronësisë jo vetëm që nuk janë zgjidhur por edhe janë shtuar si problematika nga më të ndryshmet në pothuajse tërë territorin e vendit (1), liria ekonomike përballet me pikëpyetje të mëdha pasi has në fuqi të pakufishme të monopoleve dhe oligopoleve (kryesisht në sektorët sensitivë) dhe nën një presion shumë të madh të subjekteve individuale dhe kolektive me karakter politik, që ndikojnë fuqishëm në biznes dhe ekonomi (2) dhe aplikimi dhe respektimi i standardeve le shumë për të dëshëruar në të tëra fushat, kryesisht në manaxhimin e cilësisë, mbrojtjen e mjedisit, shëndetin dhe sigurinë në punë, etj (3). Kësaj gjendjeje i shtojmë edhe parametrat makroekonomikë që kanë ardhur në përkeqësim, të cilat duke qenë edhe piketa për integrimin e vendit në strukturat rajonale, evropiane dhe më gjerë, pengojnë përafrimin me Evropën në të tëra drejtimet.

Në këtë gjendje, ku asgjë nuk ndryshon përveç fryrjes së xhepave të disa individëve që janë të lidhur ngushtë me klasën politike arrogante në pushtet dhe mendjemadhe në opozitë, shtresa e mesme, që në Shqipëri është në formim, e ka shumë të vështirë që të ndryshojë gjendjen e saj ekonomike dhe të ketë mundësinë për rritje ekonomike e zhvillim të qendrueshëm, kur më shumë se 35% e popullsisë jeton në kushtet e varfërisë ekstreme.

Garantimi i pronësisë, lirisë ekonomike dhe aplikimi e respektimi i standardeve, së bashku me mbajtjen nën kontroll të parametrave makroekonomikë, krijojnë kushte që shtresa e mesme të ketë më shumë hapsira dhe ekonomia e tregut të funksionojë, në mënyrë që shqiptarët të kenë mundësi të përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre, shteti ynë të ketë më shumë para në buxhet dhe të kemi shansin të fillojmë të mendojmë për konceptin e ekonominë kombëtare (pasi vendi është i ndarë në disa shtete dhe shumë shqiptarë janë të shpërndarë në vende të ndryshme të botës, duke mos kontribuuar cilësisht në ekonominë tonë) në mënyrë që të kemi zhvillim të qendrueshëm dhe prosperitet. E kundërta, fatkeqsisht, nuk do sjellë asgjë të re për Shqipërinë dhe shqiptarët si për vitin 2017 ashtu dhe në vazhdim.

Na Ndiqni dhe pëlqeni faqen tonë
0

Leave a comment

Your email address will not be published.


*


Shpërndajeni Nëse Ju Pëlqen!