Lajme të Fundit

ENVER HOXHA, NACIONALIZMI SHTETËROR DHE KOMBËTARIZMI SHQIPTAR – NË VEND TË NJË REPLIKE ME PROF. PËLLUMB XHUFIN

SHINASI RAMA

Në një shkrim shumë të shtruar para dy ditësh në gazetën DITA Prof. Pëllumb Xhufi, pa dyshim njëri nga mendjet më të vyeshme ndër shqiptarët, analizonte lidhjen komplekse të Enver Hoxhës me nacionalizmin shqiptar. Shkrimi, me shumë kurajo profesionale e qytetare, ngren tezën se Enver Hoxha ka qënë një figurë komplekse ideologjike. Sipas prof. Xhufit, ai ka qënë edhe nacionalist e jo vetëm ashtu sic perceptohet ngushtësisht e skematikisht, në terma ideologjikë, si komunist fanatik, diktator e tiran.

Shkrimi, që vjen në përvjetorin e rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës, cek shumë pika të diskutueshme dhe që duhet të diskutohen sic janë sistemi i vlerave ideologjike të Enver Hoxhës, problemi i Kosovës, marrëdhëniet me palët e tjera gjatë Luftës së Dytë Botërore, konjukturat ndërkombëtare që për shtet të vogël dhe të varfër por edhe thellësisht të militarizuar, policor, dhe të jenicerizuar prapë se prapë ishin shumë përcaktuese, e me radhë. Në fund, duke njohur e pranuar edhe nivelin e lartë të marrëzisë politike dhe ideologjike që na coi në katastrofën që përjetuam në fund të viteve 1980-të, Prof. Xhufi mundohet ta qartësojë kontributin e Enver Hoxhës edhe si nacionalist dhe ta vecojë nga aspektet e tjera të periudhës gjysëmshekullore kur ai ishte figura qëndrore ndët shqiptarët.

Më e pakta që mund të thuhet është se duhet diskutuar për këtë temë . Prof. Xhufi meriton përgëzim që e nxjerr debatin nga klishetë e zakonshme. Shqiptarët si komb janë të përshtjelluar dhe të kapur në rrjetën e marrëzisë kolektive të të ashtuquajturit tranzicion, dhe të flasësh për Enver Hoxhën, sidomos kur jemi në një katrahurë të tillë morale politike, shoqërore dhe ekonomike duket absurde. E megjithatë, një temë e tillë është më shumë se e kohës. E vërteta është se në një debat serioz, do të mund të identifikoheshin si rrënjët e të keqes në të cilën gjendemi, ashtu do të mund të qartësohej edhe zgjidhja që na duhet ne shqiptarëve në të ardhmen.

E keqja që na ka ra si murtaja është paria sunduese që me mendësinë e saj, tashmë në brezin e tretë e të katërt, po na mban skllevër. Zgjidhja që na duhet dëshpërimisht është krijimi i kombit-shtet. Dhe duam s’duam ne shqiptarët, Enver Hoxha është në qëndër të problemit, sepse këta që na sundojnë, në të gjithë partitë politike e klanet mafioze katundare, janë pjella direkte e sistemit të drejtuar prej tij. Po ashtu, paradoksalisht, sepse në shtetin shqiptar mendojnë mbrapsht, domethënë mendojnë se demokracia vjen përpara shtetit, Enver Hoxha është edhe modeli më realist në qendër të zgjidhjes. Shteti i forte me rrënjë në shoqëri, relativisht funksional, i mirëdimensionuar dhe solid, anipse nuk mund të jetë kurrë e asnjëherë aq i fortë sic ishte në kohën e Enver Hoxhës, sepse ashtu nuk na e lejon njeri, por që në forma të tjera, nuk ka pse të jetë më pak efektiv, është zgjidhja jetike dhe e dëshërueshme që na duhet ne shqiptarëve sot e në të ardhmen.

Ndër gjërat e tjera që duhen analizuar e theksuar më shumë nga të tjerat, sepse cdo fjalë që thuhet nga Prof. Xhufi e ka më shumë se një interpretim të mundshëm, janë edhe dy elementët e mëposhtme që janë të lidhura me thelbin e lidhjes së Enver Hoxhës, jo thjesht me nacionalizmin por më së pari, me kombëtarizmin shqiptar.

Së pari, ndryshe nga cfarë thotë prof. Xhufi, Enver Hoxha realisht nuk ka qënë i gjithëpushtetshëm sepse nuk ka sunduar vetëm asnjëherë dhe pikërisht atëherë kur u bë i gjithëpushtetshëm ishte i pazoti për të sunduar si duhet. Ai ka qënë një politikan i lindur dhe shumë i aftë që ka pasur si synim mbijetesën e vet në politikë dhe që është paraqitur e promovuar si më i madh se jeta. Mirëpo, në cdo kohë, Enver Hoxha ka qënë i detyruar që të bëjë aleanca me klanet e konsoliduara që e kanë origjinën thellë, deri në miletet e perandorisë osmane. Shteti që kishim nuk ishte thjesht krijesë ex nihilo e Enver Hoxhës dhe nuk duhet krijuar një përshtypje e gabuar se gjithmonë, gjithcka ishte në dorën e tij. Klanet ortodokse, klanet vllahe, trashëgimtarët e jenicerëve e me radhë, struktura që ishin shumë të lidhura dhe që funksiononin me kode të caktuara kulturore, shpesh të palexueshme nga klanet e grupimet e tjera, luajtën një rol vendimtar në momentet kritike dhe shpesh ia dhanë drejtimin si deshën ata shtetit e kombit dhe disa herë, duhet thën edhe kundër vetë Enver Hoxhës dhe interesave të tij.

Së dyti, ndoshta për lehtësi paraqitjeje, Prof. Xhufi, e redukton problemin kombëtar tek problemi i Kosovës. “si thelbi i çështjes kombëtare shqiptare.” Këtu duhen bërë disa dallime konceptuale sepse thelbi i nacionalizmit dhe thelbi I kombëtarizmit janë dy gjëra të ndryshme. Thelbi i nacionalizmit është krijimi i identitetit të mbështetur tek shteti ekzistues. Thelbi i cështjes kombëtare shqiptare është krijimi i një mendësie që i sheh shqiptarët, kudo që ata janë, si në Ballkan, ashtu edhe jashtë tij, si pjestarë të një etnie që ka të njëjtin emër, të njëjtën origjinë fare e lidhje gjaku, të njëjtën traditë historike, dhe që, pavarësisht besimeve të ndryshme, e dallimeve kulturore fetare e rajonale, synon të krijojë shtetin e vet kombëtar si shtet të këtij kombi.

Nga ky këndvështrim, edhe duke e pranuar se Kosova ishte problem jetik dhe i prekshëm politik, problemi i Kosovës ka qënë e mbetet vetëm një aspekt i cështjes kombëtare shqiptare. Problemi kombëtar përpara se të jetë problem politik i një krahine apo zone, është një problem kulturor, problem mendësie e vlerash relativisht të njëtrajtëshme, në mos uniforme, që krijohen, ushqehen dhe i paraprijnë ose janë në themel të vetë shtet-kombit ose të aspiratës së tij.

Pra, duke u mbështetur në përkufizime të tilla, kur vjen puna tek trajtimi i Enver Hoxhës si nacionalist, problemi duhet rikonsideruar ndryshe. Duhet ta pranojmë se Enver Hoxha dhe klanet e konsoliduara, por me mendësi të ngushtë katundare, krahinore apo fetare formësuan një shtet të fortë sic ishte shteti shqiptar gjatë kohës së Luftës së Ftohtë. Por ndryshe nga shtetet e tjera normale, ky ishte një shtet ku ekuilibret ndërklanore ishin shumë të brishta dhe për këtë u desh dhe u përdor terrori shtetëror. Për të kontrolluar këtë gjendje dhe mekanizmat që e bënë funksional, Enver Hoxha dhe partneri tjetër i tij, dhe aleatët e tyre, sepse, ta zëmë, Mehmet Shehu ishte partner dhe jo thjesht vasal, me një vendosmëri fanatike iu kundërvunë idesë kombëtariste. Përpjekja e tyre u bë që të krijonin besnikërinë e duhur përjashta strukturave fetare, komunitare dhe krahinore, dhe katundare që ishin parësore për vasalët e tyre respektivë në shtetin shqiptar.

Shteti ishte në qendër të projektit të tyre të përbashkët. Në strukturën e shtetit ngjitej dhe konsiderohej besnik i vërtetë vetëm ai apo ajo që ishte i/e shartuar me martesa me fe tjetër, me etni tjetër, apo me klane të tjera rajonale.

Shtysa morale për të bërë zgjidhje të tilla ishte tek lidhja e këtyre individëve dhe e familjeve të tyre me shtetin. Statusi, përfitimi, mbijetesa, respekti e cdo gjë lidhej me shtetin dhe kështu, në tre breza, u krijua një shtresë e gjerë që kishte besnikëri të shumëfishta, por edhe jo të njëjta familjare. Mirëpo, jo vetëm për përgjegjësinë e tij, por edhe të shumë të tjerëve, mendësia që u ushqehej njerëzve dhe që i formësoi në këtë mënyrë, nuk ishte mendësia kombëtariste shqiptare. Në thelb të mendësisë së kombit artificial që ata kishin në mend, sepse ashtu iu shërbente atyre, dhe shumë prej tyre as nuk e konsideronin shqiptarin si njeri e jo më si shqiptar, nga sistemi u vendos shteti shqiptar. Njerëzit duhej të identifikoheshin me shtetin, me lidhjen me shtetin territorial, dhe jo me kombin shqiptar. Shqiptar sipas kësaj mendësie ishte ai që jetonte në Shqipëri, anipse ishte vllah, grek, maqedon, bullgar, ashkali, malazes, serb, turk, italian, gabel, cerkez, berber e me radhë. Kështu mund të ishe shqiptar dhe kosovar. Në Kosovë mendësia sunduese ishte kombëtariste dhe këtu nisi edhe dyzimi në identitet që po na shkakton kaq shumë spazma identitare. Si pasojë e politikave të ndjekura me rigorizitet, shoqëria që u krijua në shtetin shqiptar, dhe mendësia e saj, nuk ishte kombëtariste. Ajo ishte një shoqëri shumë etnike, në të cilën u gjetën mirë shumë nga pakicat joshqiptare, dhe klanet e fuqishme me baza fetare e krahinore.

Të ishte e ushqyer me frymën e duhur kombëtariste, dhe të ishin ndjekur parimet e duhura të lidhjes martesore etj., kjo duhej të ishte një strukturë mbarëkombëtare shqiptare që do të dobësonte ndikimin e feve dhe të strukturave klanore dhe do të krijonte një shqiptar etnik për të cilin feja do të ishte dytësore dhe shtet-kombi do të ishte parësor. Mirëpo, për këtë shtresë që u ngjiz në shtetin shqiptar, dhe janë jo pak më peshë sepse në fakt pjesë e këtij grupimi janë paria sunduese, dhe në vecanti për parinë e ngushtë, feja dhe etnia u bënë dytësore, dhe parësore ishte interesi i tyre. Zgjidhjet që kishin bërë në jetë i kishin bërë prej interesit nga shteti. Me shembjen e shtetit, dhe ishin po këta që e lanë shtetin në baltë dhe e braktisën sa iu dha mundësia, këta nuk kishin më asgjë kombëtare dhe kishin vetëm një interes të ngushtë personal se si të pasuroheshin vetë. Krijesat që duhej të ishin vegla të sistemit të Enver Hoxhës, dhe që e mbajtën kombin shqiptar skllav me ndërgjegje e për përfitimin e tyre, si për shembull me tufëzimin, me shembjen e sistemit, panë një mundësi për të bërë pikërisht atë që Enver Hoxha nuk i kishte lejuar ta bënin. Dhe këta njerëz të zhveshur nga kombëtarizmi dhe të drejtuar nga interesi u bënë mallkimi i shqiptarëve gjatë tranzicionit.

Duke u ndalur këtu, është e nevojshme të thuhet se lidhjen e Enver Hoxhës me nacionalizmin dhe me kombëtarizmin duhet ti gjykojmë me kujdes, dhe ky hap i prof. Xhufit është një hap kurajoz dhe i dobishëm. Ndikimi i Enver Hoxhës është kaq i thellë dhe shkon në thelbin e të kenunit shqiptar, prandaj nuk mund të ndalemi këtu. Si figurën qëndrore në historinë moderne shqiptare, Enver Hoxhën duhet ta gjykojmë në kontekstin e kohës në të cilën ai jetoi dhe funksionoi, duke mbajtur parasysh si shtërngesat me të cilat u përball, ashtu edhe zgjidhjet që ai i bëri në mënyrë të vetëdijshme dhe ky është një project që nuk mund të lihet në duart e sharlatanëve dhe të amatorëve që botojnë pacavure në Tiranë e që shesin marrëzira në dhjetramijëra kopje. Por nuk ka asnjë dyshim se projekti i Enver Hoxhës për krijimin e një shqiptari territorial, të një nacioni të përbërë nga njerëzit që jetonin në shtetin shqiptar, një corbe derri etnike, e të ndryshëm nga kombi etnik, është një nga ato projekte që nuk janë analizuar si duhet dhe që në fakt diskutohen fare pak. Aty shihet e del qartë edhe lidhja e vërtetë e Enver Hoxhës me kombëtarizmin etnik shqiptar. Vetëm atëherë do të kuptohet qartë se si e se sa ka qënë jetik, përcaktues ndikimi i Enver Hoxhës mbi kombin shqiptar në kohën e tij dhe mbi fatet e kombit shqiptar në ardhmëri. E vetmja gjë që nuk është në dyshim e në diskutim është se ai ndikim gjithanshëm do të vazhdojë të ndjehet edhe mbas shumë brezave dhe se ne nuk jemi ata që duhej të ishim edhe prej këtij projekti të Enver Hoxhës.

Na Ndiqni dhe pëlqeni faqen tonë
0

2 Comments on ENVER HOXHA, NACIONALIZMI SHTETËROR DHE KOMBËTARIZMI SHQIPTAR – NË VEND TË NJË REPLIKE ME PROF. PËLLUMB XHUFIN

  1. Z Shinasi pellumbi ti e no nje tjter para se te zberthenjme enverin te na tregoni pse ardhi ne pushtet enveri dhe shkaku kryesor ishte korupsioni e dhuna e ushtruar nga parise te asj kohe ku peti Asllani e ka portretizuar sakte dhe grykesine e saj ajo pari e pagoi ashtu si e meritomnte shume u shkuan ne plunb te tjere burgjeve shume te tjere more aratine e u bene e jane akoma e sot mergata e qyqeve enver qene nuk ishte as komunist as nacionalist as kombetarist por trim kopilane e kriminel e si e thua ti mendoi vetem per vete shteti I tij nuk qe I forte por reklamohej I tille shtet te forte ben vetem humanizmi kur shtetasit ta prekin ta ndiejne e ta shijojne shtetin e vet ku te kene mundesi te jetojne me dinjitet te kene mundesine e nje prone banese taksa te uleta qeverisje e vogel e efektive etj PPor c ndodhi pas 90 pinjollet e parise para komunizmit e te parise te komunizmit I thire mendjes I dilte me mire bashke punimi se sa lufta prandaj dhe kemi kete situate tragjike dhe shperthyese po a ka ruge dalje paqesore po ka por duhen trima te zgjuar e te mire ndryshe le ti mbajme mbi kuris keta trima qelbesira qe kemi

  2. Thanas L. Gjika // February 23, 2017 at 6:45 pm // Reply

    Z. Shinasi replika juaj ndaj shkrimit te z. Pellumb Xhufi mendoj se duhej te theksonte faktin se Enver Hoxha nuk ishte nje politikan i lindur, por nje pushtetdashes i lindur. Gjithe aleancat ne plan te jashtem (me Jugosllavine, Bashkimin Sovjetik dhe Kinen), si dhe gjithe emerimet, menjanimet dhe denimet e bashkepunetoreve te tij (qe ju i quani partnere) i ka bere nisur kryesisht per interes te ruajtjes se postit te tij dhe per t’ia lene zonjes Nexhmie rrethuar me puthadore te paafte, te cilet ajo duhej t’i manovronte e sundonte pa qene vete anetare e Byrose Politike.
    Studiuesi Xhufi duhej te tregonte qofte dhe shkurt disa te meta e paaftesi te Enver Hoxhes si burre shteti qe qeverisi mbi 40 vjet me terror duke shkaterruar moralin dhe kombetarizmin. Si burre shteti ai ishte nje miop gje qe e tregoi e sotmja, kur po jetojme pasojat e drejtperdrejta te sundimit te tij te gabuar. A nuk eshte kjo klase sunduese e sotme pasoje e sundimit antikombetar te Enver Hoxhes? Nga mbine keta vrases te popullit shqiptar qe sundojne sot pa moral, pa dashuri per popullin dhe atdheun, por vetem per te mbushur xhepat e tyre? Keto gjera Pellumb Xhufi nuk deshiron t’i shohe, ai perpiqet ta paraqite Enver Hoxhen si burre te shquar shteti, qe beri disa gabime i detyruar nga rrethanat.
    Sa per interesimin e Enver Hoxhes per shqiptaret e Kosoves dhe per Kosoven dihet se ai gjate Luftes se II Boterore beri tradheti, madje ne nje plenum te PKSh-se me 1946 kerkoi bashkimin e Shqiperise me Jugosllavine. Kurse mbas vitit 1966, kur vete populli shqiptar i Jugosllavise, sidomos ai i Kosoves u hodh hapur ne lufte per te drejtat e tij, Enver Hoxha, per te mos u turperuar nisi te tregoje interesim dhe shkroi, ose nxiti disa punonjes per te shkruar e botuar disa artikuj ne perkrahje te asaj levizjeje…
    Studimi dhe sqarimi i arritjeve dhe deshtimeve te shtetarit Enver Hoxha eshte nje detyre e studiuesve serioze qe duhet ta bejne sa me pare, sepse nje vleresim bojektiv i ketij problemi do te ndihmoje kthjellimin e shume shqiptareve qe ende e admirojne ate, ne nje kohe qe shumica e bemave te tij ka pasur synime thjesht personale dhe pasoja shkaterrimtare per kombin tone. Per te justifikuer Enver Hoxhen disa historiane dhe vete kryeministri z. Edi Rama, na e levdojne Ali Pashen si atdhetar e gjeni, ne nje kohe qe ai nuk e kishte idene e shtetit kombetar shqiptar dhe nuk punoi per kete, por sundoi thjesht si nje pasha osman per te miren e vet ne kuadrin e Perandorise Osmane. Po te kishte punuar sadopak Ali Pasha per idene e nje Shqiperie te lire, duhej te kishte hapur te pakten nje shkolle shqipe, te kishte treguar sadopak interes per Gjergj Kastriotin Skenderbeun, gje qe do te kishte shpejtuar fillimet e levizjes se Rilindjes sone Kombetare, e cila nisi vetem 50-60 vjet mbas vrasjes se Ali Pashes.
    Nga ana tjeter, Enver Hoxha si marksist-leninist ishte nje internacionalist dhe nuk e kishte per zemer idene e shtetit kombetar shqiptar. Ai ishte nje sundues egoist qe per interesat e veta sakrifikonte gjithcka. Kete klime krijoi ai dhe prandaj pas kapitullimit te diktatures nuk erdhen ne pushtet nacionalitet e kombetaristet, por ishkomunistet e ishsigurimsat qe vijuan ta demtonin kombin shqiptar…

Leave a comment

Your email address will not be published.


*


Shpërndajeni Nëse Ju Pëlqen!