Lajme të Fundit

Hinduizmi në Kosovë*

 
Nga AHMET DURSUN
Te këmbët e shkronjave NEWBORN lustraxhiu e la klientin e tij me një këmbë në ajër dhe ia mbathi mes pune me gjithë sënduk… Në Klinë, dasmorëve u iku orkestra, dy orë para kanagjegjit. Krushqit filluan t’u bien kusive, sahanëve e sinive që të vallëzonte nusja… Në Ferizaj, mësuesi ditën e hënë kur hapi derën e klasës, gjysma e fëmijëve nuk ishin. Pas pak edhe mësuesi nuk dukej gjëkundi… Në Obiliq, iku shoferi i ministrit dhe ministri u kthye me autostop në kullë: “nonën bre, shka ke kjo punë”! Në pushim të ndeshjes mes Prishtinës e Gjilanit, u zhduk arbitri anësor, trajneri i portierëve, stoli rezervë, tribuna karshi. Për pak bashkë me ta edhe Fadili… Infermierja e devotshme i gjëmoi me shiringë në dorë pacientit deri te stacioni i autobusëve. Ngulte këmbë që t’ia ngulte për herë të fundit! Ia nguli… Në 2-3 muaj rreth 50 mijë njerëz “avulluan” nga Kosova! 5% e popullsisë. Aq sa në Siri. Ndryshimi: ata në luftë, Kosova në paqe! Për të kuptuar se ç’po ndodh në të vërtetë në Kosovë, them se duhet bërë një udhëtim deri në Indi. Lopët në Indi janë të shenjta, janë me imunitet. Jeshile u ndizet çdo dritë kur kalojnë rrugën. Po ndaloi njëra, i gjithë trafiku qëndron në vend. Më mirë të shtypësh Gandin, sesa lopën! Nëse hyn lopa në një lokal p.sh. i lirohet bash vendi. Gjithë fakirët shtyhen me njëri-tjetrin që t’ia krehin qimet e bardha! Ajo gëzon privilegjin e të qenët pasardhësja e lopëve që me qumësht shpëtuan miliona jetë, në skamjen e tejskajshme të Indisë… Është e çuditshme! Po e njëjta lopë nëse ngatërron istikametin e hyn në mëhallën e myslimanëve në sekonda ndahet në anatomi, në minuta përfundon në tenxhere e brenda orës serviret si birjan! Po dhia?! Ajo që ka bërë gjithnjë historinë?! Ajo që ka dhënë ç’ka pasur, deri edhe brirët?! Ajo që nuk ka kërkuar salltanet, por është kacavjerrë në buzë të humnerave për të këputur një gjethe?! Që nuk është nënshtruar, përkulur, jargavitur ndaj askujt?! Dënohet, dënohet në vend, madje prej të dyja palëve. I harrohen të mirat menjëherë. Sa ta kapin, ndezin furrën e tandërit si një vullkan dhe e fusin të tërën që t’ia zbusin mishin e fortë me gjithfarë erëzash, përpiqen t’ia ulin krenarinë, edhe pas vdekjes! Gjithashtu, në hinduizëm ekziston sistemi i kastave. P.sh. nëse ke lindur në një familje të pasur s’ka “perëndi” që mund ta ndryshojë këtë gjë. Një dorë në mjaltë, një dorë në kajmak të shkon jeta! Por ama, nëse babai yt i fryn fyellit për ta ngritur gjarprin në këmbë që t’u zgërdhihet turistëve, jo lumi Ganxh, por as oqeani Indian s’ta ndryshon dot taksiratin. Ke lindur i varfër dhe do të vdesësh i tillë! S’ke ç’bën! Duhet t’i bindesh fatit, të rrish urtë! T’ia mbushësh mendjen vetes se në jetën e mëparshme ke pas bërë prapësi e prandaj tani je në këtë gjendje! Të rrish urtë e të besosh se pas vdekjes do rikthehesh në këtë jetë si fëmija i një pasaniku e do jetosh i lumtur. Po si u instalua hinduizmi në Kosovë? Fill pas lufte “Brahma” europiane (Perëndia Krijuese) zgjodhi “lopët” më të bindura të Kosovës. I ndanë sipas llojeve. I krehën, i vaksinuan e ua hapën kanalet e qumështit. I vendosën në kullotat më të njoma dhe i shenjtëruan si shpëtimtaret e ardhshme prej varfërisë pas lufte. Ua bënë reklamën në media, në forume, në konferenca se sa e yndyrshme është, çfarë djathi, kosi, gjize mund të bëhet me “qumështin” e tyre.“Dhitë” u lanë mënjanë, ato që i kishin shpëtuar “tandërit” jugosllav të ‘69-s dhe ’81-shit, të burgosurit gra e burra, të lexuarit, të diturit, luftëtarët me penë…mjerisht u mënjanuan. U shpikën ca shkrimtarucë që edhe analizën në gazeta e fillojnë ndryshe, e zhvillojnë dhe e përfundojnë krejt pa lidhje. Kryeveprat e artit të mendimit abstrakt i gjen sot te këta “mendimtarë”. I bënë këshilltarë, më hijerëndët e tyre; i bënë opinionbërës, madje deputetë e ministra. “Brahmanët” ia lanë në dorë këtyre që të numëronin sesa luftëtarë pati UÇK-ja dhe këta, shto ujë e shto miell, e katërfishuan numrin, nga 15 mijë e çuan në 60 mijë. Ata, të vërtetët, mjerimisht i mënjanuan! “Brahmanët” pasi e krijuan këtë realitet ia lanë vendin perëndisë tjetër “Vishnu”. Kjo perëndi mbrojtëse nisi të mbledhë bulmetin. Ndërsa “lopëve” vizionare ua mbrojti baxhot, mullarët, cicat. Por nëse një qytetar kërkonte një copë djathë, i duhej të bënte gjimnastikë mbi paralelet e tyre dhe në fund, veç një tas hirrë… Eksodi është treguesi më i qartë se tashmë ka mbërritur “Shiva”, perëndia e shkatërrimit. Ata që ikin, e kanë kuptuar se kjo jetë është e shkurtër dhe nuk pranojnë të vdesin me shpresën se do të kenë një jetë më të mirë kur të ringjallen…shkurt nuk duan më të jetojnë me hirrë! Sot, gjithsesi, Europa po del me përfitime të paimagjinueshme. Me ndërrimin e besimit nga republikë në hinduizëm, po shton diversitetin brenda saj, një diversitet që i ka munguar ndër mijëra vite! Një diversitet që e provuan ta krijonin përmes Greqisë, Italisë, Spanjës, Portugalisë e deri edhe me Islandën, por që nuk i eci, i doli huq. Doli huq, sepse shoqëritë e këtyre vendeve ua liruan sheshet “dhive” dhe perëndia e shkatërrimit e ka tmerr të përballet me dhitë. Kjo është arsyeja që Aleksis e shokët e tij në Europë nuk vënë kollare…Po Kosova, a ka mundësi t’i kthehet edhe njëherë republikës? Ka, madje e ka shumë të lehtë. Mjafton t’u lirojë sheshin “dhive” e t’i grahin “lopët” për andej nga mëhalla e myslimanëve…
*Botuar fillimisht më 15 Shkurt 2015. Ribotohet me lejen e autorit.
Na Ndiqni dhe pëlqeni faqen tonë
0

Leave a comment

Your email address will not be published.


*


Shpërndajeni Nëse Ju Pëlqen!