Lajme të Fundit

Intervista e Kaso Kosës me Marshallin e madh

Nga Helidon Tahiraj

Sali Berisha: Si do ia shtrij kabllin qeverisë së Edi Ramës

Buzë detit pashë dikë i cili pasi vrapoi, u ul dhe po kundronte me imtësi rërën. Ishte z.Berisha. Iu afrova dhe me të bëra këtë bashkëbisedim;

Kaso Kosa -Përshëndetje z.Berisha. Zoti Berishaaaaa, përshëndetje!

Berisha –Përshëndetje z.Kaso Kosa! Isha i përhumbur, e s’po të dëgjoja.

Kaso Kosa -Kështu jeni të tërë ju. Mezi më dëgjoni.

Berisha – E po i ka meditimi këto gjera, Kaso. Të gjithë ne politikanët, meditojmë. E di ti Kaso, si ka lindur meditimi?

Kaso Kosa – Jo, z. Berisha, nuk e di…

Berisha – Ta them unë Kaso. Meditimi ka lindur në Kinë, nga pushtetarët. Ata uleshin buzë orizoreve dhe mendonin…

Kaso – Mendonin si të zhvillonin vendin…

Berisha – Mendonin si të mbanin pushtetin Kaso. Ndryshe, pa pushtet do e shtynin jetën duke ngrënë oriz, si gjithë dynjaja kineze.

Kaso – Po ju ç’po mendonit z. Berisha?

Berisha – Të të them të drejtën, këtë po mendoja Kaso. Ti e di që ty gjithë politikanët të thonë të vërtetën. S’bëj as unë përjashtim në këtë gjë.

Kaso – Meqë ra llafi te pushteti z.Berisha: Para disa ditësh iu dëgjova që iu bëtë thirrje njerëzve, të armatoseshin dhe të mbronin pronat e tyre. Për marrjen e pushtetit e bëtë këtë thirrje, dmth…?

Berisha –Po sigurisht Kaso që për të marrë pushtetin e bëra. Se ç’prona të mbrojnë njerëzit e gjorë, kur kjo qeveri e krimit, i ka lënë pa prona fare.

Kaso –Mendoni se njerëzit do iu dëgjojnë llafin, e do armatosen?

Berisha –Ata të armatosur janë Kaso. I kemi armatosur që në 1997-ën ne. Ca i armatosa unë, e ca Nano. Gjithsesi, ja ku po ta them: U nxitova, e fola pa u menduar, kur thashë që njerëzit të armatosen. Nuk është zgjidhje armatosja, se s’na lë Amerika ta marrim pushtetin me dhunë. Kam menduar një variant tjetër, për rrëzimin e qeverisë.

Kaso Kosa -Mund te ma thoni këtë variant, z.Berisha?

Berisha- Do hedhim në erë kabllin që lidh me internet, Shqipërinë me Italinë.
Kaso Kosa -Do hidhni në erë kabllin?!
Berisha -Po pra Kaso. Hedhja në erë e këtij kablli, do rrëzojë qeverinë. E thënë popullorçe; Duke hedhur në erë këtë kabëll, do i “shtrijmë kabllin” qeverisë.
Kaso Kosa –E di që mbeta aguridhe dhe nuk i kuptoj politikanët, z.Berisha. Mund të jeni pak më i saktë, ju lutem!
Berisha –Dëgjomë Kaso. Ti e mban mend besoj, kur pasi ne humbëm zgjedhjet në vitin 2013, shpërthenin me eksploziv shtyllat elektrike…
Kaso Kosa –Po, po e mbaj mend…
Berisha –Ja ku po ta them. Ajo ide ishte e z.Paloka. E materializuar nga trimat tanë në terren. Ama, sot e pranoj që ishte ide tepër e gabuar. Kjo ideja ime për të hedhur në erë kabllin e internetit që lidh Shqipërinë me Italinë, do funksionojë, Kaso. Jam mendje gjeniale unë.
Kaso Kosa -Përse mendoni se do funksionojë?.
Berisha –Vetëm kështu mund të ngremë të rinjtë në revolucion. Ti e di Kaso që rinia jonë punësohet në “call center”. E imagjinon dot? Nëse ne shkatërrojmë këtë kabëll interneti, ç’bëhet? Mijëra të rinj e të reja mbeten pa punë. Kështu që do hidhen në protesta për të rrëzuar qeverinë e krimit; Rama, por jo i korruptuar Meta.
Kaso Kosa –Ju paska shkuar në mendje mirë kjo ide. I madh jeni…
Berisha –Që jam i madh jam unë, se kam kaluar 70 e kusur vjeç, por në partinë tonë, edhe ata që kemi të vegjël në moshë, nuk janë krijues dhe me energji, Kaso.
Kaso Kosa -Nuk më thoni z.Berisha; Kush do e vë në veprim planin tuaj të hedhjes në erë të kabllit? Dhe a e dini ku shtrihet ky kabëll?
Berisha –Kablli shtrihet këtu ku je ulur ti Kaso.
Kaso Kosa -Shtrihet poshtë meje?! Bobo, aman z. Berisha, se nëse i ndodh gjë kabllit, do më “shtrijnë mua kabllin”, ata të policisë, se do më ketë kapur ndonjë kamerë e këtyre lokaleve. Aman, se nuk e mbaj dot burgun fare.

Berisha –Rri i qetë Kaso, se i kemi ca njerëz në Prokurori dhe Gjykata ne, e s’të gjen gjë. E kishim muhabetin te kablli; Që thua ti, ai kalon poshtë teje, futet në det e shkon deri në Itali. I kam hartat e sigurta, se m’i ka dhënë Luli Basha, që ka qenë ministër transporti.
Kaso Kosa –Kush do e kryej këtë aksion, z.Berisha?
Berisha -E kush tjetër veç një notari, Kaso.
Kaso Kosa -Do paguani ndonjë notar dmth?

Berisha –Oooo Kaso! Po mua ç’më kujton ti? Nuk e mban mend sa orë rrija në ujë në det?! Pikërisht se e dija që do duhej një aksion i tillë një ditë, ndaj rrija.

Kaso Kosa –Uuuueeee, tani e kuptova unë, përse stërviteshit në not ju.

Berisha –I thashë Kastriot Islamit, meqë është fizikan, të bënte ndonjë marifet e të shkatërronte atë kabëll, por më tha nuk mundem. Kujton “Kaçi i zi”, se do pres nga ai, unë. Vetë do e bëj këtë aksion. Ja aty te ajo torba, kam ca eksploziv dhe…

(Sa tha kështu z. Berisha, ia futa me vrap dhe ika. Distancën 42 kilometra, Durrës-Tiranë, e bëra më shpejt se ç’e bëjnë maratonistët.)

Na Ndiqni dhe pëlqeni faqen tonë
0

Leave a comment

Your email address will not be published.


*


Shpërndajeni Nëse Ju Pëlqen!