Lajme të Fundit

KATËR HIPER-DËMET E QEVERISË RAMA!

Gentian Kaprata – Urbanism & Democracy 

Për të qënë politikisht korrekt, që të përzgjedhësh dëmet më evidente të një qeverie duhet që analizën ta bësh ditët e fundit të mandatit të saj, në mënyrë që të përfshish gjithë kohën që kjo qeveri ushtron pushtetin. Pra që në fillim duhet të pranojmë kufizimet e shkrimit. Mirëpo, kam dy argumenta që e asnjëansojnë këtë efekt. Së pari argumentin teorik. Shkencat politike kanë një aksiomë gjerësisht të pranuar, sipas të cilës një rotacion demokratik nuk varet vetëm nga mënyra e dorëzimit të pushtetit nga humbësit te fituesit por edhe nga mënyra sesi fituesit sillen me administratën që gjejnë. Sepse me të njëjtën mënyrë që ata sillen me administratën e vjetër, do të sillet administrata e re me popullin. Kështu që, në vlerësimin tim, qeveria Rama e ka mbyllur qeverisjen që javën e parë të saj. Argumenti i dytë është praktik. Dëmet janë të tilla, saqë jo muajt që i kanë ngel kësaj qeverie, por edhe disa qeveri pas saj vështirë ti rikuperojnë dot.

Prandaj, pa u zgjatur vijojmë me dëmin e parë. Ai është thellimi e zgjerimi deri në të pakapërcyeshëm të hendekut midis shoqërisë dhe qeverisjes. Shoqëria shqiptare e konsideron qeverisjen, përfundimisht, si një pushtim dhe stabilizim të një kaste që merr vendime për të por pa lidhje me të. Të cilën është e detyruar ta durojë për shkak të ‘dhunës legjitime’ që kjo qeverisje ushtron “për të mirën e përbashkët” mbi cdo individ. Absurd, por real! E gjitha kjo, sepse qeveria Rama në tentativën e saj ‘për të bërë shtet’ nuk zgjodhi rrugën e forcimit të institucioneve të shtetit për ti shërbyer shoqërisë, por forcën policore të të gjithë zgjatimeve të saj për të edukuar shoqërinë “parashtetërore” shqiptare. E cila ndërtonte paleje, nuk paguante energjinë dhe taksat, nuk zbatonte rregullat e qarkullimit rrugor, dhe shumë të tjera si këto. Si produkt, sot kemi një shoqëri dhe një qeverisje që udhëtojnë në rrugë të kithta me njëra-tjetrën.

Dëmi i dytë është ekzekutimi i pushtetit vendor. Që ditët e para z. Rama i hapi luftë ndërtimeve paleje apo me leje të pamoralshme. Me stabilizimin në zyrën Kryeministrore këtë cështje e ktheu në super-reformën e tij. Cdo ministër u gjithpërfshi. Bile edhe shëndeti publik u mendua të përmirësohej nëpërmjet heqjes së kioskave nga oborret e spitaleve. Më tej, mori në dorë edhe lejedhënien ndërtimore. Askush vec tij nuk mund të jepte më leje ndërtimi. Projekti i ‘Rilindjes Urbane’ ishte kapaku i pusetës. Mirëpo, administrimi urban është një funksion vendor qeverisës. Sikurse është hartimi i listave të të pastrehëve, listave të ndihmës sociale, dhe shumë punë të tjera me të cilat qeverisja Rama u vet-njësua. Kështu që, megjithëse ishte votuar si Kryeministër, z. Rama nuk luajti dot në ‘Stadiumin Kombëtar’. Kryebashkiaku i Republikës, drejton edhe sot Atdheun me 61 drejtorët e bindur apo të pabindur të tij, në mungesë totale të qeverisjes lokale.

Dëmi i tretë është deformimi, c’vlerësimi dhe rrënimi i konceptit ‘reformë’.  Si cdo shtetndërtues tjetër, edhe z. Rama ndërmori një set reformash. Në fakt, reformimet e sistemeve mund të ndihmojnë në ristartimin e sektorëve të zhvillimit dhe minimizimin e korrupsionit. Mirëpo, pa dimensionin kulturor të shoqërisë dhe përfshirjen e saj, dështimi është i sigurt dhe për një kohë të gjatë. C’ka na drejton te thelbi i kësaj qeverisje. Ajo nuk ka kuptuar rregjimin shoqëror në të cilin po qeveris. Nuk kupton se populli është sovrani dhe asaj i duhet të bëj reformat e duhura për të përmirësuar jetën e tij. Porse, ka ndërtuar në mëndje një model ideal të ‘popullit që meriton të qeveriset prej saj’, dhe vijon të “reformojë” popullin që ti pështatet qeverisjes. Prandaj, të ashtuquajturat reforma janë, ose aksione militare për të rritur nivelin e ligjzbatimit ose fllucka që nuk prekin asgjë, ndërkohë që shoqëria vuan pasojat e tranzicionit përgjatë reformimit të paqënë.

Dëmi i katërt është ngadhnjimi i fasadizmit mbi racionalitetin njerëzor. Një set i gjerë projektesh e programesh lokale të ndërmarra dhe të finacuara nga qeveria Rama e kthyen Shqipërinë në një Republikë Fasadash. I stratuar me projektin ‘Lungomare’ në Vlorë (simboli i kësaj qeverisje), programi i ‘Rilindjes Urbane’ përfshiu të gjitha fasadat e dukshme të ndërtesave të dukshme në rrugët e shëtitoret e dukshme të disa qyteteve shqiptare dhe gëlltiti miliarda të shqiptarëve të sotëm dhe të nesërm. Me logjikën e një zonje në moshë, që për tu kamufluar si e paraqitshme bën ndërhyrje të kirurgjisë estetike, rëndon makeup-in, shkurton minifundin e zgjeron dekoltenë, edhe z. Rama po bojatis qëndrat e qyteteve shqiptare të zhytura në ujrat kënetore të përmbytjeve ciklike dhe nën rrezikun e përhershëm të shpërthimit të rrjeteve të infrastrukturës inekzistente inxhinierike.  Ndërkohë, zonja dhe Shqipëria urbane, kanë domosdoshmëri të tjera ekzistenciale!

Na Ndiqni dhe pëlqeni faqen tonë
0

1 Comment on KATËR HIPER-DËMET E QEVERISË RAMA!

  1. Thanas L. Gjika (USA) // February 17, 2017 at 4:49 am // Reply

    Isha vjet per vizite ne Shqiperi. Asnje polic nuk te binte me qafe, nuk te kerkonte gjobe kot se koti si para kater vjetesh.
    Energjia elektrike paguhej nga pjesa dermuese e familjeve ne te gjithe Shqiperine e jo si para kater viteve kur shume biznesmene dhe krejt Shiperia e Veriut nuk paguante faturat e energjise elektrike.
    Rregullimet e disa qyteteve si Tirana, Korca, Durrsi e Vlora nuk jane thjesht pune fasadash, por permiresim i pamjeve dhe i qarkullimit te ketyre qyteteve. E per kete mendoj se kjo qeveri ka bere nje pune te mire.
    Mendoj se ju duhet te tregoni konkretisht nese ka vjedhur kjo qeveri ne rregullimin e qyteteve, apo i ka investuar te gjitha shumat e shpallura.
    Kryesorja qe mendoj se duhet vleresuar qeveria Rama mendoj se eshte qendrimi aprovues ndaj Reformes ne Drejtesi. Kjo reforme eshte celesi qe do te permiresoje qeverisjen e Shqiperise neser. E nese kjo qeveri e ka marre me seriozitet dhe do ta shpjere perpara zbatimin e kesaj reforme jetike, ajo do ta justifikoje veten edhe per nje mandat, sepse po te kemi pas zgjedhjeve nje qeveri te formuar nga aleanca PD & LSI kjo reforme do te sabotohet.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*


Shpërndajeni Nëse Ju Pëlqen!