Lajme të Fundit

Kriza e përfaqësimit politik dhe kriminalizimi politik III (Rasti Shqiptar)

Nga Bledar Dika

Edhe pse zgjedhjet e fundit konsiderohen të kenë bërë  hapa përpara, ato humbasin shumë në përfaqësim, sepse sistemi zgjedhor aktual shkëput definitivisht përfaqësuesin nga përfaqësuesit, jo vetëm në kuptimin e përfaqësueshmërisë si shëmbylltyrë, por edhe në kuptimin e përfaqësimit të një vullneti hipotetikisht unitar (përfaqësues të ‘’volonte generale’’), pra humbet pothuajse krejtësisht raporti ndërmjet tyre, princip bazë ky i përfaqësimit dhe i përfaqësueshmërisë, por edhe i demokracisë në përgjithësi.

 

Sistemi zgjedhor shqiptar është proporcional rajonal ku ndarja e mandateve behet sipas metodës D’Hondt. Sistemet proporcionale zakonisht janë sisteme të dobëta – në lidhje me efektet manipuluese të përfaqësimit, ku  favorizohet përfaqësimi i grupeve të ndryshme që përbëjnë një shoqëri. Në lidhjen e implementimit të sistemit proporcional në Shqipëri, duke parë madhësinë e universit zgjedhor shqipar përcaktimi i zonave zgjedhore në nivel qarku dhe jo kombëtar, si dhe ndarja e mandateve sipas D’Hondt-it dhe jo sipas një metode më të favorshme për partitë e vogla dhe për ato grupe që përbëjnë shoqëritë e fragmentuara, do të sherbenin të vetme si elemente për të evidentuar inefikasitetin e zgjedhjes proporzionale. Por të vazhdojmë më tej, mandatet me këtë sistem ndahen midis kandidatëve nëpër lista shumë emërore të mbyllura. Flasim për lista të mbyllura në sensin që votuesi në fletën e votimit ka të drejtë të shënjojë vetëm logon e partisë apo koalicionit që dëshiron të votoj pa specifikuar se nga cili kandidat në atë listë ndjehet më i përfaqësuar, pra përtej logos ai nuk mund të shënjojë ose të evidentojë përbri saj  emrin e kandidatit të preferuar.

 

Në këtë mënyrë ndarja e mandateve të subjektit politik ndjek radhën sipas renditjes që partia, ose më mirë lidershipi i partisë, ka paracaktuar. Kështu që zgjedhësit nuk i lihet tjetër zgjedhje përveç miratimit të një zgjedhjeje që të tjerë kanë paracaktuar për atë, për të minimalizuar zgjedhjen e tij në faktin se kush do të jetë Qeveria e ardhshme dho jo parlamentarët e ardhshëm, që duhet të negociojnë interesat e tij. Pra është e dukshme që me këtë sistem raporti midis të përfaqësuarit dhe përfaqësuesit të tij humbet pothuajse plotësisht, duke u zëvëndësuar nga një raport i tipit plebishitar ndërmjet përfaqësuesit dhe Qeverisë, pra mund të flitet pa frikë për instaurimin e një përfaqësimi plebishitar, të një diktature çezariane, ku lidershipi dikton me kohë të pjesshme (çdo 4 vjet).  Kështu në momentin e llogaridhënies, dmth. në zgjedhjet pasuese përgjegjësi nuk është më deputeti i munguar në raport me deleguesin, porse eskluzivisht dhe totalisht Qeveria dhe performanca e saj. Në ketë sens në lidhje me përgjegjshmërinë, zgjedhjet parlamentare minimalizohen pra në votë plebishitare, ku votohet për të penalizuar ose jo qeverisjen e kaluar.

 

Në këtë dritë, në Shqipëri kriza e përfaqësimit politik ndjek të njejtën parabolë që kemi paraqitur akoma më lart, por me disa veçanti rilevante.

Në radhë të parë, duke ndjekur qasjen që demokracia e drejtëpërdrejtë, ose të paktën përdorimi i instituteve të demokracisë së drejtëpërdrejtë si inciativa legislative popullore, referendume apo peticione, vendosen si intrumente komplementarë të përfaqësimit politik, mund të themi që edhe në vendin tonë praktika të “drejtëpëdrejta” janë gjithnjë e në rritje.

 

Në radhë të dytë duke ndjekur qasjen e dallimit midis organizatave që përfaqësojnë interesat sektoriale, në Shqipëri mund të dallojmë midis interesave të organizuara të përfaqësuara nga shoqatat apo shoqëritë civile dhe ato të përfaqësuara nga grupet ekonomike. Duhet të pranojmë që të parat kanë një rilevancë ndërmjetësuese, por në lidhje me vendimmarrjen, fuqia e tyre mbetet e dobët dhe sporadike, duke veçuar shoqatat ambientaliste, të cilat duke qenë më të strukturuara ose më të burokratizuara kanë ditur së fundmi të kapitalizojnë vendimmarrje në favor të interesave e tyre dhe të atij grupi social kujt i përkasin. Kështu mund të përmendim mbledhjen e firmave për referendumin abrogativ të ligjit të importimit të plehrave apo organizimin e levizjes që çoi në vendimin rreth armëve kimike. Gjithsesi këto grupe deri tani kanë influencuar vendimet e përfaqësuesve politik duke operuar nëpërmjet një kanali dytësor, dmth nëpërmjet presionit politiko-social pa u institucionalizuar drejpërsëdrejti në fushën e përfaqësimit politik, pra pa u shndërruar në parti politike me përfaqësues të tyre në organet legjislative,  Parlament apo në njësitë vendore, siç ka ndodhur në perëndim. Ndërsa ndërmjetësimi i interesave të grupeve ekonomike është permanent dhe vendimmarrja në këtë sens është pothuajse deçizive.

 

Njëherë që kemi kryer këtë dallim mund të analizojmë influencat që sjellin grupet e ndryshme në përfaqësimin politik dhe kështu në vendimmarrje. Në këtë sens duke parë që pushteti legjislativ dhe ai ekzekutiv zhvillohet në kuadrin e përfaqësimit politik, këto grupe interesi, në nevojën e një kuadri ligjor favorizues kontraktualizojnë pikërisht me organet që qendrojnë në themel të përfaqësimit politik, pra me partitë politike. Nga ana tjetër partitë politike, për të mos humbur pushtet por edhe për të përfaqësuar interesat e një pjese të mirë të shoqërisë që “mbahet ekonomikisht” nga grupet ekonomike, bashkërëndojnë veprimet e tyre pikërisht me grupet ekonomike. Kemi kështu një marrëdhënie reciprociteti interesash midis partive politike dhe grupeve ekonomike. Në këtë drejtim partia politike dhe organizimi i saj nuk qendron indiferent, oligarkitë që i qeverisin ato pësojnë kësisoj një ndryshim cilësor. Nga grupe eskluzivisht ideologjike ato ndryshojnë natyrën e tyre në grupe të cilat duhet t’i përgjigjen marrëdhënies së anasjelltë me grupet ekonomike. Duhet theksuar, që në nivel parimor, marrëdhënia apo më mirë polet e kësaj marrëdhënie janë të dukshme ku kemi partinë politike dhe grupet e interesit ekonomik, ndërsa në nivel burimesh njerëzore mund të mos ketë asnjë dallim, ku mund të hasen migrime nga njëra anë në tjetrën dhe anasjelltas. Në kuadër të këtij ndryshimi edhe raporti ose dinamika e qarkullimit të oligarkive ose më saktë të elitave brenda partisë ndryshon, nga,  grupe të interpretimit ideologjik “inovator”  kundër grupeve që përfaqësojnë interpretimin që udhëheq partinë, në,  grupe përfaqësuese të interesave ekonomike të reja kundër grupeve të interesave ekonomike që udhëheqin partinë. Nëse sipas principit ideologjik qarkullimi do të ishte më i shpeshtë falë principit mazhoritar, sipas pricipit të fuqisë ekonomike të grupeve, qarkullimi bëhet shumë më I vështirë, për të mos thënë I pamundur duke marrë në konsideratë vendin tonë.

 

Pra në Shqipëri tashmë kemi një marrëdhënie të ngushtë të partive me këto grupe duke trafikuar hera herës edhe risurse njerëzore nga njëra anë në tjetrën dhe anasjelltas. Por veçantia e rastit Shqiptar qendron në faktin që qarkullimi i elitave brenda partive është i vështirë. Ky qarkullim është i vështirë dhe thuajse i pamundur, në radhë të parë prej faktit të trafikimit të risurseve njërëzorë nga njëra anë në tjetrën, kështu që interesat ekonomike të përfaqësuara kanë delegatët e tyre drejtëpërsëdrejti në brendësi të partive dhe rrjedhimisht në organet përfaqësuese duke theksuar në mënyrë të qartë konfliktet e interesit që lindin hera herës. Në radhë të dytë prej faktit që këto grupe ekonomike interesi, nuk janë zhvilluar në kushtet e një konkurrence të lirë të tregut ku prevalon kultura liberale imprenditoriale, por janë zhvilluar falë forcës dhe pushtetit kriminal, kështu që dhe qarkullimi i elitave ekonomike në brendësi, tashmë të partive, por më gjërë edhe në shoqëri, është shumë i vështirë jo vetëm prej faktit që këto grupe e ruajnë predominacën e tyrë falë pushtetit ekonomik të akumuluar në kohë, por mbi të gjitha e ruajnë edhe nëpërmjet forcës represive kriminale. Duke qenë kështu, në Shqipëri nuk mund të flitet absolutisht për praktika neokorporative, pra të operimit të partive në bashkëveprim me grupet e interesit të organizuar, kjo falë faktit që këto grupe nuk janë shprehi konkurrencës së lirë me fature neoliberale por thjesht shprehi e forcës dhe interesave të organizuara kriminalisht.

 

Këto grupe, pavarësisht dimensioneve, duke mos qenë të zhvilluara në kushtet e një kulture imprenditoriale e korporative neoliberale,  ata shfaqen intolerante dhe represive jo vetëm ndaj konkurrentëve por edhe ndaj çdo organizimi civil brenda tyre. Në këtë sens në Shqipëri nuk ka as sindikatata as shoqata që të mbrojnë të drejtat e punëtorëve e urdhërave profesionale etj, ose edhe atje ku ka, ato janë krejtësisht fiktive. Mund të pohojmë pa frikë, që në Shqipëri në nivel të marrëdhënies së punës “qeveris frika”, ndryshe nga vendet perendimore, nuk kemi greva, nuk kemi protesta apo levizje, edhe pse kushtet e punësimit ndryshe nga perëndimi janë më të mjera.

 

Pra nuk flitet për praktika neokorporative, as nga ana e krahut të djathtë politik as nga ana e krahut të majtë politik. Sepse e përsërisim që këto korporata dhe sipërmarrje janë thjesht zgjatime të krimit të organizuar, dhe si e djathta si e majta së fundmi bashkëveprojnë me këto grupe interesi, kjo e fundit përkundër duhet të jetë përcjellëse e shoqatave dhe sindikatave që nuk ekzistojnë, ndërsa e para duhet të ketë kritere të forta ku të dallojë e bashkëveprojë me ato grupe apo korporata që sygjeron kultura neoliberale. Pikërisht këtu qendron dhe logjika e mosdallimit të së majtës nga e djatha në Shqipëri.

 

Në këtë panoramikë të zymtë, duket sikur nuk ka dalje, duke patur parasysh që e gjithë kjo spirale shqiptare marrëdhëniesh që nis nga interesi e mbaron në vendimmarrje ka “kapur” edhe një pjesë tjetër të pavarur të pushtetit, siç është gjyqësori. Gjithsesi monopolet, totalitarizmat e status quo-të nuk janë të përhershme. Ato mund të bien menjëherë dhe perspektivat duhet të tentojnë në këtë drejtim, ndryshimi duhet të vijë nga Shoqëria dhe me të njejtën monedhe e në të njejtë kohë duhet të përgjigjen përfaqësuesit dhe “politika”. Është pra pikërisht shoqëria e cila me zhvillimin e instrumentave komunikative mund të jetë më prezente në politikë duke shfaqur disensin e saj social dhe ekonomik, së pari duke e shkundur dhe rivitalizuar përfaqësimin politik dhe së dyti duke influencuar vendimmarrjen. Së fundi këtij ndryshimi duhet t’i përgjigjet edhe një ndryshim teknik i sistemit zgjedhor, flas këtu për skedën elektorale, e cila është e mbyllur. Nëse nuk do të kishte një ndryshim në këtë sens, nëse kandidatët për përfaqësues do të mbeteshin monopol i lidershipit partiak dhe interesave të grupeve ekonomike, shoqëria e cila do të kërkonte ndryshim do ta kishte shumë të vështirë ta trasformonte disensin në përfaqësim politik dhe do të mbetej pre e diktatit të partive poltitike, të cilat nga ana e tyre, në të njejtën mënyrë, do të mbeteshin pre e diktatit të “oligarkive të përhershme” apo siç cilësohet ndryshe  të “parisë”.

 

Na Ndiqni dhe pëlqeni faqen tonë
0

Leave a comment

Your email address will not be published.


*


Shpërndajeni Nëse Ju Pëlqen!