Lajme të Fundit

Me sytë nga Rusia? Mblidhet komisioni dypalësh.

Thellimi i bashkëpunimit ekonomik midis Shqipërisë dhe Rusisë ishte fokusi i takimit të sotshëm të zhvilluar në mjediset e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes mes delegacioneve shqiptare dhe ruse.

Ky ishte takimi i bashkëkryetarëve të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar Ekonomiko-Tregtar dhe Tekniko-Shkencor “Shqipëri-Rusi”, i cili i paraprin zhvillimit të takimit të Komisionit të 7 të Përbashkët Ndërqeveritar mes dy vendeve. Delegacioni shqiptar përfaqësohej nga zv Ministrja e MZHETTS, znj Adela Karapici ndërsa delegacioni rus nga zëvendësministri i Parë i Drejtësisë së Federatës Ruse z. Sergey Gerasimov.

Të pranishëm në takim ishin përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe ruse, ku përveç nevojës për bashkëpunim në sektorët  kryesorë si: ekonomia, tregtia, transporti, bujqësia dhe energjia, u diskutua dhe u shkëmbyen mendime mbi thellimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit, kulturës dhe arsimit.

Gjatë takimit palët vlerësuan bashkërendimin funksional si dhe trendin pozitiv në rritje të marrëdhënieve mes dy vendeve. Gjithashtu u kërkua thellimi i dialogut konstruktiv në të gjitha drejtimet ku dy vendet mund të gjejnë hapësira bashkëpunimi.

Gjatë fjalës së saj, zëvendësministrja Karapici foli për potencialet që ofron Shqipëria si në investimet në infrastrukturë, në industrinë nxjerrëse, por edhe në turizëm. Ajo vuri theksin për mundësinë e rritjes së volumit tregtar mes dy vendeve, si dhe vendosjen e një mekanizmi të qëndrueshëm për bashkëpunim solid në të ardhmen, duke zgjeruar marrëdhëniet në fusha të ndryshme.

Gerasimov infirmoi për interesin e madh të kompanive ruse për të investuar në Shqipëri, kryesisht në projekte energjitike, në transport, por dhe në turizëm. Ai tha se Rusia është e interesuar të nisë fluturimet Charter të turistëve rusë drejt Shqipërisë për të shijuar bukuritë e bregdetit dhe natyrës shqiptare. “Për këtë -shtoi më tej, z. Geramisov – duhet një promovim më i madh mediatik i turizmit shqiptar në Rusi.

Zv.Ministrja Karapici pohoi se kanë nisur procedurat për heqjen e vizave për shtetasit rusë drejt Shqipërisë nga muaji maj deri në tetor për sezonin turistik, ndërkohë që kërkoi heqjen e vizave edhe nga pala ruse për shtetasit shqiptarë që duan të udhëtojnë drejt Rusisë.

Palët vlerësuan marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes dy vendeve, si dhe shprehën nevojën për një intensifikim të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar.

Na Ndiqni dhe pëlqeni faqen tonë
0

1 Comment on Me sytë nga Rusia? Mblidhet komisioni dypalësh.

  1. Thanas L. Gjika // April 5, 2017 at 3:21 pm // Reply

    Shqiperia nuk duhet te ndjeke nje politike izolacioniste me Federaten Ruse, por marredheniet me kete shtet do te jene shume te kujdeseshme. Turizmi rus duhet te jete jo fort i madh, mbasi permes turizmit u pushtua Praga me 1968.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*


Shpërndajeni Nëse Ju Pëlqen!