Lajme të Fundit

MOJ SHATORRE KU NA MBLODHE: HERONJTË E RREMË TË KOHËS SONË

MIRDIT TOSKA

 

Shatorrja gjigande e ngritur përballë kryeministrisë i ngjan shumë një cadre fushimi ushtarak në rrethim. Përjashta policët janë në rresht por nuk lëvizin sepse ashtu ua kanë dhënë urdhërin shefat. Edhe ata që janë brenda janë ushtarë. Gjithcka funksionon me rregull ushtarak: pizza dhe qofte zgare me orar, tualet me pastruese gati dhe thuajse te gjithe me rroba te zeza dhe me koka te rruara si ushtarë dhe telefonat, nga dy e nga tre, i mbajnë në duar si pistoletat TT. Përshtypja nga jashtë është që këta janë duke bërë dicka të jashtëzakonshme dhe heroike. E megjithatë, ata që janë brenda, vetëm heronj nuk janë. Edhe ata, edhe policët që i marrin qoftet e zgarës korcare nga I njëjti vend e dinë që kjo është një lojë elektorale. Ne fakt, askush nuk ka hall me kenë hero, por me zhvatë ndonjë llokëm nga shteti. Ky është heroizmi i cakenjve që e shfaqin kur ia marrin copën e mishit nga stërvina ujkut.

Heronjtë janë ata që bëjnë dicka të jashtëzakonshme duke qënë të gatshëm të vdesin për idetë e vlerat e tyre, për grupin të cilit i përkasin, dhe për të mirën e përbashkët të grupit. Dhe këta që kanë hyrë në atë shatorre janë mercenarë, grupi të cilit i përkasin është një trust kriminal, e mira që kanë ndërmend janë interesat e tyre, dhe vlerat që i motivojnë janë thjesht materiale. Këta po vënë një gur në radhë, duke dhënë provën e besnikërisë për t’u bërë kandidatë për deputetë apo për të marrë një ofiq, në se shkojnë punët ashtu sic shpreson shefi i tyre. Sakrifica është të hanë pica dhe të presin radhën për të shkuar në tualetin portabël.

Këta që sundojnë tani e meritojnë një protestë, dhe meritojnë edhe disa zgjidhje të tjera që lirisht, në cdo vend tjetër, mund të nisin nga burgu e deri tek litari. Por, në lidhje me këta heronjtë e rremë të shatorres ka shumë pyetje që duan përgjigje.

Le ta nisim me të shkuarën e atyre që janë në shatorre… A nuk janë këta që qeverisën për tetë vite dhe ia rropën edhe kockat shtetit shqiptar? A nuk janë këta që na zhytën në borxhe? A nuk janë këta që i mësuan njerëzit që të vjedhin edhe veten? A nuk janë këta që toleruan drogën e trafiqet? A nuk janë këta nuk e lëvizën gishtin kur u privatizuan pasuritë kombëtare? A nuk janë këta që vodhën vullnetin e popullit? A nuk janë këta që shitën tokën e detin? A nuk janë këta që iu shërbyen grekëve, serbeve, dhe gjithkujt tjetër që i mbante në pushtet? A nuk janë këta që kanë janë majmur me gjakun e shqiptarëve? A nuk janë këta që erdhën në pushtet derbederë dhe dolën miliarderë? Këta janë ata që I kanë bërë këto gjëra dhe një Zot e di se sa e gjatë është lista e krimeve të tyre që pa mëdyshje këta do t’i bëjnë sërish po erdhën në pushtet. Prandaj edhe janë heronj të rremë.

Le të konsiderojmë idetë e tyre… Këta thonë se duan votim elektronik. Ide e mirë po qe se bëhet edhe me fletëvotimi që kështu të ketë garanci të dyfishtë. Por, nuk e kanë hallin aty se ai është preteksti. A po ngujohen për të garantuar ndryshimin e kodit zgjedhor? A po ngujohen për të prishur duopolinë PD-PS? A po ngujohen për të garantuar të drejtat e shqiptarëve? A po ngujohen për të kundërshtuar oligarkinë kriminale? A po ngujohen se po ikin shqiptarët? A po ngujohen kundër drogës? A po ngujohen kundër mafias ndërkombëtare që e ka atë shtet pronë? A po ngujohen për të mbrojtur interesat kombëtare? A po ngujohen për të mbrojtur trojet tona të shenjta? A po ngujohen kundër koncesioneve, privatizimeve, korrupsionit, dhe kapjes së shtetit? A po ngujohen sepse po vdesin shqiptarët si në Zharrëz? A po ngujohen kundër mbetjeve, plehrave, ushqimeve të helmatisura, borxheve, apo kundër shkatërrimit të vendit? Jo. Këta janë bashkëpunëtorë të atyre që janë sot në pushtet dhe bashkë I kanë bërë të gjitha, dhe po bashkë do ti bëjnë edhe me mbrapsht. Qëllimi i vetëm I tyre është që të vijnë në pushtet. Prandaj edhe janë heronj të rremë.

Kujt i shërbejnë? Duke e parë protestën dje, shumë lehtë mund të mendonte njeriu se këtu kanë dalë shqiptarët që të mbrojnë vendin e tyre nga e keqja që iu ka rënë dhe që po I mbyt. Mesazhi që dhanë “do të vrasim frikën,” simboklet që përdorën, muzika, skenografia e gjithcka ishin të ndërtuara mbi idenë kombëtare. Për herë të parë nuk kishte ngjyra blu e aq shumë flamuj fallso e rrecka të PD-së. Gjithkund kishte një hije kombëtarizmi. Nuk ka asnjë dyshim se ky ndrishim e ka një shkak dhe një burim. Dhe kur konsiderohen të gjitha si duhet, përfundimi është se nuk është një rastësi, por këta kanë marrë idetë, mendimet, dhe zgjidhjet që janë ofruar nga Manifesti Politik I Bleta Shqiptare dhe tani po duan ti vënë në përdorim të qëllimit të tyre të ardhjes në pushtet. Mirëpo kështu kombëtarizmi kthehet në strofkën e fundit të horrave politikë. Sepse duke qënë këta drejtues horra të sprovuar, nuk mund të kenë dashuri për komb e atdhe. Duke qënë kozmopolitë nuk munden me e dashtë si duhet kombin e tyre. Duke qënë shartesa etnike e morale, nuk kanë vetëdijen e duhur kombëtare. Duke pasur dashuri për paranë e pushtetin nuk kanë se si me pasë dashuri për shqiptarin tjetër. Këta iu shërbejnë vetëm pronarëve të tyre të vërtetë, po e përdorin kombëtarizmin si mjet për të mbrritur qëllimet e tyre që janë të njëjta e që nuk kanë ndryshuar. Prandaj edhe janë heronj të rremë.

E kështu do të rrinë për disa muaj deri në zgjedhje duke dalë nga ajo shatorre dhe duke u shitur si heronj dhe mtues për deputetë. Heronj të kujt? Heronj të atyre që i paguajnë më mirë, që i përdorin me cmimin e duhur, sepse janë njerëz pa komb e pa atdhe, kozmopolitanë dhe skllevër të interesit, dhe që nesër do ti hedhin në plehra. Nesër këta do të cirren “ku ishe ti kur unë isha në shatorre duke luftuar?” e kështu po hapet një kapitull i ri në tragjikomedinë shqiptare kur ata që shiten kombin e shtetin bashkë me këta që janë në pushtet, shiten si shqiptarë kombëtaristë e heronj.

P.S.: Menuja per nesër: Linguine flambate con rum su ruota di Parmigiano in salsa al tartufo bianco… Spinakopita …Adana Kebab me Hajdar… medalion Karagjeorgjevic dhe sakrifica është pica, natyrisht.

 

 

Na Ndiqni dhe pëlqeni faqen tonë
0

Leave a comment

Your email address will not be published.


*


Shpërndajeni Nëse Ju Pëlqen!