Lajme të Fundit

O Sot o Kurrë! Përse duhet të protestojmë.

BLETA SHQIPTARE/

Zhvillimet e fundit politike po vërtetojnë përditë e më tepër se analiza e bërë nga Bleta Shqiptare është tejet e saktë. Palët e parisë së Tiranës, Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta dhe mashat e tyre, si ato që qeverisin ashtu edhe ato në çadër, po e çojnë vendin drejt një gremine të frikshme të cilës nuk i shihet fundi. Qytetari i thjeshtë lebetitet me të drejtë kur kujton 97ën, po duhet të ndërgjegjësohet se pas evokimeve të Vranickit nga Meta, kërcënimeve për kufoma në Lanë nga Berisha, arrogancës së frikësuar të qeverisjes Rama e cila ka rritur çdo vit numrin e policëve,  insinuatave për rezistencë á la Mujo Ulqinaku kundër Perëndimit apo për hapje burgjesh nga Monika Kryemadhi, mund të vijë një furtunë që do e bënte vitin e mallkuar 1997 të dukej lojë fëmijësh. Kjo pari nuk mundet dhe nuk dëshiron t’u japë shqiptarëve nder, liri dhe siguri.

Më tej, të frikësuar nga mundësia e drejtësisë së vërtetë, më 30 Mars këta ligjëruan mosprekjen e tyre me anë të amendamentit 449. Me këtë amendament të kaluar me votat e PS, LSI, PDIU dhe me heshtje totale nga çadra e krimit të sekserave, doganierave dhe gjobëvënësve të Saliut që bërtasin edhe për gjëra të paqena, të gjithë ata që kanë një vendim gjykate nuk mund të ridënohen edhe nëse zbulohen fakte rënduese. Kjo është një amnisti për krimet e përbindshme që kanë kryer kundër shqiptarëve dhe tregon frikën e madhe që kanë këta nga shqiptarët. Kjo është amnistia për Dritan Priftin,Fatmir Mediun dhe Ilir Beqjan, Tom Doshin, Nard Ndokën, Ridvan Boden dhe Arben Ahmetajn, por mbi të gjitha kjo është një amnisti për Ilir Metën, Sali Berishën, Edi Ramën dhe të gjithë ministrat dhe zyrtarët e lartë të këtyre viteve. Madje nëpër korridoret e parisë thuhet se ky amendament ishte kushti i Metës për t’u ulur tek darka me hala e “Pazarit të Ri”. Ndaj dhe duhet të reagojmë, të protestojmë e t’u tregojmë se Shqipëria është e shqiptarëve dhe fundi i tradhtarëve. O sot o kurrë!

Po, por kush do të protestojë? Ne shqiptarët kemi dështuar në ndërtimin e një shoqërie të lirë, një shtetkombi modern, me strukturat e duhura në shërbim të interesit kombëtar, ku çdo shqiptar të jetojë i lirë, i sigurtë, me dinjitet e të ketë drejtësi. Derimësot ne kemi ndjekur këto grupe kriminale të strukturuara të cilat paraqiten si parti, të cilat për interesat e tyre e kanë djegur e shkatërruar vendin, kanë skllavëruar shqiptarët, i kanë shërbyer haptazi interesave të huaja, kanë çshqiptarizuar sa kanë mundur vendin, kanë favorizuar kontrollin e sektorëve kyçë prej pakicave, kanë zvetënuar shoqërinë, kanë krijuar mitin fals të parasë si instrumenti i vetëm shoqëror dhe e kanë shndërruar të keqen në normalitet. Të gjitha këto janë bërë nën “petkun” e demokracisë dhe lirisë. Ky është një mashtrim gjigand, një rrenë e madhe që na mban të skllavëruar si komb dhe nga e cila ka ardhur koha të ndahemi. Nuk mund të presim zgjidhje nga Sali Berisha e Lulzim Basha, nga Edi Rama e Ilir Meta, dhe e gjithë shpura e veglave e gjallesave politike që vegjetojnë nën hijen e tyre, sepse këta e kanë provuar veten hajna e kriminela. Kur ju prishen pazaret i nxjerrin njëri tjetrit të palarat, por sapo e gjejnë allishverishin e radhës bëhen sërish miq.

Ndaj duhet të ngrihemi e të protestojmë për t’ju treguar antishqiptarëve që na sundojnë se nuk ka vdekur ende shpirti i lirë i shqiptarit dhe se nuk e pranojmë këtë thundër të ndytë mbi vete. Ne shqiptarët nuk jemi skllevër. Sot është dita për t’u ngritur e për të protestuar kundër këtyre plehrave e bajgave të kombit shqiptar, këtyre shqiptarurrejtësve dhe shqiptarvrasësve të cilët nuk ndalen përpara asgjëje. O sot, o kurrë!

Po kush duhet të protestojë? Shqiptarët nuk jetojnë në një rend demokratik. Demokracia nuk mund të perceptohet si një carte blanche në duart e një grupi mafjozësh që kontrollojnë shtetin me anë të veprimtarive të tyre kriminale, dhe që riciklohen heraherës duke treguar me gisht mëkatet e shoshoqit. Demokracia nuk është instrument për të shkaktuar kaos sa herë që cënohen interesat kriminale e mafjoze të tyre. Demokracia është një sistem i organizimit të shtetit i cili mundëson përzgjedhjen e drejtuesve të tij për një kohë të caktuar sipas vullnetit qytetar. Nuk mund të ketë demokraci pa shtet, dhe nuk mund të ketë shtet efektiv pa legjitimimin e duhur nga populli. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kyçi i legjitimitit të pushtetit në një rend demokratik.

Mirëpo në Shqipëri nuk ka e nuk do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Këta e kanë marrë peng shtetin, dhe zgjedhjet e tyre janë luftë bandash kriminale. Edhe zgjedhjet e ardhshme nuk do të dalin nga “tradita” e tyre hajnore madje edhe më keq se sa duket sepse po i afrohemi një konflikti të egër si ai i 97ës. Në këto zgjedhje që po vijnë me gjasë do flasë dhuna.

Gjithmonë humbësi konteston zgjedhjen si gjatë procesit ashtu edhe pas tij. Madje, shpeshherë këta bojkotojnë edhe parlamentin ama rrogat i marrin një më një. Këta votat i blejnë me një thes miell, i numërojnë me banditë si jua do qejfi, ligjet zgjedhore i ndërrojnë sipas midesë dhe madje i sjellin votuesit edhe me autobusa dhe avionë nga jashtë. Dhe pastaj kërkojnë paturpësisht “votë të lirë e të ndershme”. Qëllimi i tyre është të na tregojnë ne shqiptarëve se nuk kemi rrugëdalje tjetër, vota nuk ndryshon asgjë. Ti voton, ata numërojnë. Të gjithë shqiptarët e dinë se këta të gjithë vjedhin e tjetërsojnë votën pa u dridhur.

Dakord, por kush duhet të protestojë? Shqiptarët janë të ndryrë nga kjo pari. Edhe nëse t’a numërojnë votën, alternativat janë dy të këqija dhe ata të detyrojnë të zgjedhësh të keqen më të vogël. Çdo nismë tjetër me karakter kombëtar kooptohet, blihet, përdhunohet mediatikisht dhe shtypet edhe me forcë po të jetë nevoja. Mjafton të pyesim Kreshnik Spahiun sa lekë e shiti Aleancën Kuqezi dhe djalit të kujt politikani ja ka tanimë gjakun borxh?

Megjithëse shahen e skërmiten, me fjalor që do të turpëronte edhe rrugaçin më të zvetënuar, palët e parisë ja gjejnë gjuhën njëri tjetrit kur duhet. A nuk e gjetën Rama dhe Berisha gjuhën kur u desh ndërruar sistemi zgjedhor dhe kushtetuta më 2008 megjithëse ishin sharë nga familja? A nuk u shanë Rama dhe Meta para e prapa me sharje që asnjë njeri normal nuk do i duronte, dhe më pas u bënë sërish bashkë “për integrimin e vendit?” Skllavëria nuk ka nevojë të jetë e formalizuar, këta kontrollojnë të gjitha levat dhe i kanë shqiptarët skllevër. Ndaj ne të gjithë, shqiptarë e shqiptare që e duam Shqipërinë duhet të protestojmë e t’u tregojmë vendin këtyre plehrave të kombit. O sot o kurrë!

Por kush duhet të protestojë? Shqiptarët nuk janë sot të lirë. Liria e vërtetë e individit nuk mund të konceptohet në një boshësi shoqërore, sepse njerëzit nuk jetojnë në vetmi por në shoqëri. Kombi është struktura shoqërore më solide e cila legjitimon shtrëngesat e shtetit, e cila të shtyn t’a shohësh shqiptarin tjetër si vëlla e motër, e cila të pengon të skllavërosh vëllanë e motrën tënde të një gjaku, dhe nga e cila buron mirësia dhe vendosmëria për të ruajtur trashëgiminë dhe identitetin tonë. Këta kriminelë në qeverisje dhe opozitë, vazhdojnë t’a luftojnë kombin shqiptar me të gjitha forcat e mënyrat. Kombi është për ta pengesë themelore për shkak se kombi përfaqëson çdo gjë të mirë që kemi ne si shqiptarë, dashurinë për atdheun, dhembshurinë për njëri tjetrin, moralin njerëzor e qytetar dhe vendosmërinë për të bërë më të mirën. Këta nuk i duan shqiptarët të lirë, këta duan skllevër modernë të mbyllur në një burg gjigand çelësat e të cilit i kanë vetëm këta.  Ndaj ne duhet të protestojmë e tu tregojmë vendin këtyre plehrave të kombit.

Ka kohë që ne të Bletës Shqiptare bëjmë thirrje që shqiptarët të organizohen, të vetëdijësohen e të veprojnë. Për këtë kemi publikuar Manifestin Politik dhe një Thirrje popullit shqiptar. Ndaj e shohim si shpresëdhënëse thirrjen që ka dalë nga individë dhe shoqata të caktuara për të protestuar kundër nenit 449 të Shtunën data 8 Prill përpara Presidencës.

Ne do t’i bashkëngjitemi kësaj proteste dhe i ftojmë të gjithë simpatizantët dhe bashkëpunëtorët, edhe pse janë të zënë me halle të përditshme, punë etj. të gjithë shqiptarët që e duan veten, familjen, nderin, sigurinë dhe lirinë e tyre si shqiptarë të protestojnë kundër parisë së Tiranës, kundër nenit famëkeq 449, pa dallime kundër Edi Ramës dhe Sali Berishës, Ilir Metës dhe Lulzim Bashës dhe të gjitha veglave e mashave të tyre të zvetënuara. Liria nuk mund të blihet me para, si thotë kënga “se mjaft në robëri, o e mjera Shqipëri…”. O sot o kurrë!

Në qoftë se nuk dëshiron me protestue se ke qëllimet e tua, bëj një shëtitje rreth e rrotull, eja e flit me ne qoftë edhe për pak kohë.  Në qoftë se ke dyshime apo paqartësi, ndalu e pije një cigare me ne, të flasim së bashku për zgjidhjen e duhur. Në qoftë se nuk ke kohë të vish atë ditë në atë orë bisedo me ne tek numrat e telefonit që kemi postuar tek Fletëpalosja, kërkoje Bletën Shqiptare tek zyra jonë afër Vizion Plusit, merrni dhe shpërndani Manifestin tonë tek faqja bletashqiptare.com. Lexojeni, zgjohuni, vetëdijësohuni dhe organizohuni. Bleta shqiptare është gjithmonë me ju. Nuk zgjidhen problemet e Shqipërisë nën hijen e çadrës, e as nga kulisat e ngjalave të prishura apo peshkut që qelbet nga koka. Ato zgjidhen duke i nxjerr në shesh në dritën e diellit për t’i parë të gjithë. O sot o kurrë!

Na Ndiqni dhe pëlqeni faqen tonë
0

2 Comments on O Sot o Kurrë! Përse duhet të protestojmë.

  1. Thanas L. Gjika // April 4, 2017 at 3:22 pm // Reply

    Keni shume te drejte.
    Kjo thirrje duhet bere sa me e njohur nder shqiptaret e Shqiperise. Iu duhet shperndare kalimtareve neper rruget e qyteteve kryesore, duhet transmetuar neper radiostacione e TV, duhet botuar neper gazeta.
    Sejcili qe e lexon ketu duhet t’ua nise miqve te vet me email etj.

  2. Thanas L. Gjika // April 4, 2017 at 6:59 pm // Reply

    E hodha ne disa e-mail-e shokesh kete thirrje. Njeri m’u pergjigj se eshte me mire qe ne Shqiperi te luftohet per te krijuar nje sistem zgjedhor pa parti politike dhe me kandidate te pavarur; dhe zgjedja e presidentit te behet me voten e drejtperdrejte te popullit.
    Ju lutem shikojeni kete ide dhe nese ju duket e mire perpunojeni dhe hidheni ne qarkullim.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*


Shpërndajeni Nëse Ju Pëlqen!