Lajme të Fundit

PARIA E TIRANËS DHE PROBLEMI I AKTIVIZIMIT TË RINISË NË POLITIKË

Nga Prof. Shenasi A. Rama

Problemi i aktivizimit të rinisë në zgjedhjet kuvendore, dhe kush do te jetë në mbështetje të njërës apo të tjetrës palë të parisë është nga problemet që po konsumon shumë kohë dhe energji nga prijatarët e partive politike të parisë së Tiranës. Në cdo emision lajmesh televiziv ose në gazeta sheh prijatarët e rrethuar me të rinj e të reja. Të gjithë iu flasin më së shumti të rinjve, të gjithë sillen sikur fushatën e bëjnë me të rinjtë, për të rinjtë dhe për ardhmërinë e tyre. Emisione, biseda, aktivitete e festime janë të organizuara për të tërhequr të rinjtë. Kjo ndodh për një numër faktorësh që duhen shpjeguar me qetësi sepse paria e Tiranës nuk i hedh as energjitë e as paratë kot. Ata e dinë mirë se cka duan se si ta marrin. Fushata e saj e drejtuar ndaj rinisë bëhet kryesisht për qëllimet e mëposhtme. Dhe asnjë nga këto qëllime nuk janë të ndershme.
Së pari, duhet thënë se paria vetë i ka nisur fëmijët jashtë shtetit, në universitete e shkolla të shtrenjta dhe i mban sa më larg Tiranës. Edhe pse shumë nga fëmijët e parisë së Tiranës njihen si banditë e vrasës, hajna e rrugacë, edhe pse shumë kanë vdekur nga drogat e nga hordhëku, edhe pse shumë kanë zbuluar qejfet e ndaluara, prapë se prapë, një pjesë e tyre jetojnë jashtë dhe kthehen në shtetin shqiptar ose për qejf ose për të bërë një grusht para e për të ikur në sikterin e vendit të huaj. Por këta pjella të parisë kanë mësuar shumëcka dhe i rrinë larg rinisë së sotme shqiptare. Nuk do të hyjmë të diskutojmë se si e se sa kanë vuajtur e cfarë përvojash kanë patur, por të themi se e kanë ndarë veten me një mur nga të tjerët. Rinia shqiptare shkon në universitete ku shiten diplomat dhe nuk marrin dije. Shumica janë mësuar të jetojnë si parazitë. Lekët e fundit harxhohen për cigare, një pije, e pak marijuanë. Vetë paria i ruan pinjollët e saj dhe nuk i lë të bien në kurthin që i kanë ngritur rinisë shqiptare. Edhe pse këta do të ndjekin modelin e prindërve, e do të bëhen ndoshta edhe më keq, prapë se prapë nuk janë nën të njëjtat trysni si shqiptarët e tjerë. Rinia shqiptare është e papunë, e paedukuar si duhet, e pa shpresë, pa vlera morale, pa një ideologji të qartë dhe pa aftësinë e duhur që t’i kundërvihet sistemit të sofitikuar të parisë. Ajo nuk ka zgjidhje, nuk gjen zgjidhje tjetër vecse me ikë ose me u konformue me moralin e me vlerat që ka shoqëria që ushtron mbi rininë një trysni të frikshme.
Mirëpo për parinë rinia është problem politik, sepse numrat janë të rëndësishëm. Nga ana e saj, paria kërkon të tërheqë masën e madhe të të rinjve që votojnë për herë të parë në këto zgjedhje kuvendore dhe secila palë kërkon t’i tërheqë në anën e saj. Shumica e tyre, që sot janë në moshën 18-22 vjec, nuk kanë njohur realitete të tjera. Realiteti shqiptar ku janë rritur këta të rinj e të reja është i frikshëm. Paria po përdor të gjithë ndjelljet e mundshme, që asaj nuk i kushtojnë gjë, përkundrazi ia rrisin fitimin në biznes dhe masën e skllevërve të ardhshëm për t’I bindur të rinjtë se ky realitet është i pashmangshëm.
Teknika që përdor paria është e njëjtë me atë të Hasan el-Sabah. Ky lider i një sekti fetar mesjetar i merrte të rinjtë, iu hapte botën e qejfit dhe të drogës duke iu thënë se ajo ishte parajsa dhe mandej i hidhte në rrugë duke iu thënë se nëse nuk e vrisnin atë që donte ai, parajsa për ta ishte e mbyllur. Dhe këta bëheshin vrasës e skllevër të vullnetit të tij pikërisht sepse kërkonin kënaqësitë me të cilat ishin mësuar e që pa vrasjen e dikujt në emër të interesave të Hasan el-Sabah, nuk do ta gjenin kurrë më.
Paria e Tiranës përdor të njëjtën teknikë, por në shkallë kombëtare. Drogat, kurvnimi, pija, hordhëku, qejfi janë përvoja që rinia shqiptare i kalon në një moshë që s’ta merr mendja tjerakund. Kjo mendësi e rinisë ushqehet nga gjendja tejet e kriminalizuar në të cilën gjindet shoqëria shqiptare, propaganda mbytëse dhe e shfrenuar, mungesa e një sistemi të moralshëm vlerash mbi të cilin mund të ndërtohet një shoqëri e shëndoshë, trysnitë e llahtarshme mbi familjen dhe strukturat e saj, presionet e shumta për të pasur standarte të caktuara jetese nga moshatarët, paraja e lehtë që vjen nga emigrimi, krimi e droga, një konsumim qejfi e seksualiteti i pagjindshëm dhe i papranueshëm diku tjetër, një modë vëshje e denjë për trotuaret, dhe një inkurajim sistematik i veseve jo normale.
Realiteti surreal dhe eksperimental shqiptar është jashtë cdo imagjinate të mundshme. Luksi i cmendur i parisë, dhe varfëria ekstreme shqiptarëve që kërkuan një jetë më të mirë në rrethinat e Tiranës, bashkëjetojnë edhe në Bllok e afër Bllokut. Normat morale, sundimi i parisë, propaganda, shembujt negativë, filmat, emisonet, këngët, veshja, moda, e të tjera e kanë bindur rininë se nuk ka rrugë të tjera. Kështu është vendi ku kanë lindur, ku janë rritur dhe ku jetojnë këta të rinj. Paria lufton t’i bindë se kështu janë e se kështu bëjnë të gjithë. Heqja e cdo kontrolli nga shteti dhe shoqëria, pamundësitë e prindërve për me i drejtue në rrugën e duhur, sepse shpeshherë as vetë prindërit nuk janë në rrugën e duhur, legjitimimi i krimit dhe i poshtërsisë e kanë bindur rininë se nuk ka zgjidhje të tjera. Parisë së Tiranës i duhet pikërisht kjo rini që beson se “kanë lindur për qejf,” që ndjek modele jetese të mbështëtura në llumet e shoqërive njerëzore. Paria e din se kur të mos kesh moral si njeri, nuk mund të kesh bindje politike e t’i dalësh kundër asaj.
Së dyti, paria e Tiranës e ka kuptuar teknikën e kultivimit të lidhjeve dhe dhënien e një kauze politike kot rinisë. Si të mbështesin një parti të parisë e një grup të caktuar, si të bëhen pjesë e rretheve të caktuara, rinia do ta ketë të vështirë të ndërrojë rrugë. Në se do të zhgënjehet do të bëhet apatike dhe jopolitike. Kështu i duhet parisë. Paria ndjek më vëmendje atë grup të vogël që kanë prirje për militant e për aktivistë politikë. Këta të rinj paria i helmatis mendërisht dhe i josh me punë e me premtime, i deformon duke i shtyrë të mbështesin cështje që i shërbejnë asaj dhe i përdoron pa mëshirë, i cyt për sherr, i korrupton dhe i zhvlerëson deri sa në fund të fundit, edhe këta e humbin shpresën dhe bëhen njerëz të vegjël e vegla të saj.
Parisë i intereson rinia sepse ajo lufton që të ndërtojë një strukturë ndër breza. Objektivi tjetër kryesor i saj është mpiksja e besnikërive politike në këtë moshë kritike. Përplasja fiktive komunistë-antikomunistë, i shërben piëkrisht kësaj loje. E shkuara e prindërve bëhet e ardhmja e fëmijëve; partitë e prindërve bëhen partitë e bijve. Paria e din këtë. Për hir të dashurisë për prindin, të krenarisë që ndoshta është e rreme, fëmiëjt e tyre duhet të mbështesin partitë politike të prindërve. Prandaj i mëshohet përmendjes së gjyshërve, gjysheve e me rradhë. Edhe këta të rinj që nuk shohin me sytë e mendjes por bien pre e ndjenjave përfundojnë si vegla të parisë. Dhe paria nuk ka asgjë për me iu afrue këtyre të rinjve.
Një arsye tjetër pse parisë i intereson përfshirja e rinisë në poliikë dhe në përplasjen e saj sa për sy e faqe është se ajo kërkon të shmangë alternativat. Askush nuk mbështet dikë që nuk ka shumë shanse me fitue. Paria e ka ndërtuar sistemin të tillë që po të jesh alternativë, je i pashpresë. Nuk gjen punë, nuk gjën mbështetje, nuk ke rreth e nuk ke se ku të kapesh. Edhe të rinjtë që e dinë se dicka është gabim, nuk e konceptojnë mundësinë e zgjidhjes alternative. Kur e sheh botën nga Tirana apo nga cdo rreth tjetër, ajo duket shumë e vogël, e keqe, e ndyrë dhe e pashpresë. Pikërisht kërkon paria. Duke i shmangur, mënjanuar e izoluar, ajo po ia arrin që të shmangë daljen e alternativave kundër saj. Alternativa ka, për ta kam folur diku tjetër, mirëpo paria ka arritur ti izolojë e dobësojë ndjeshëm. Në këtë pikë asaj i duhen këta njëqind e pesëdhjetë mijë të rinj që votojnë për herë të parë. Asaj i duhet që këta të rinj ta shohin parinë e Tiranës si të pashmangshme, të pazëvendësueshme, dhe sit ë vetmen zgjidhje që kanë.

Në përfundim, rinia është e ardhmja e një kombi dhe paria e Tiranës, edhe në këto zgjedhje, luftën e vet më interesante e ka me rininë shqiptare. Po e theu rininë, po e zvetënoi dhe po e zhveshi nga ndjenja e shërbimit publik, në një mënyrë a në një tjetër, e ka mbrritur objektivin e saj. Se mbas pak vitesh, këta të rinj nuk do të kenë entuziazmin për të punuar për kombin e atdheun e tyre, por do të mendojnë me mendjen e parisë që do të fusë në matricën e interesave të saj. Dhe si në rastin e të rinjve që përdoreshin lehtësisht nga Hasan el-Sabah, edhe këta të rinj që bien në kurthin e parisë, do të jenë peng i saj përgjithmonë. Ata nuk do të dinë të dalin asnjëherë nga ai kurth, përvecse si vrasës, trafikantë, banditë e kriminelë që duan të kthehen në parajsën e parisë së Tiranës me cdo kusht e me cdo mënyrë, sepse si thotë ajo kënga në Tiranë, “kena lindë për qef, o kena lindë për qef.”

Na Ndiqni dhe pëlqeni faqen tonë
0

1 Comment on PARIA E TIRANËS DHE PROBLEMI I AKTIVIZIMIT TË RINISË NË POLITIKË

  1. keto i di populli shqipetar po po e zeme se nuk i di cben ti per tia mesuar keto i mrsohen atje ne teren ne cdo fshat lagje are fshe mal etj po nuk behet me tre veta p mlidh shume figura te spikatura per mire ne diaspore e brenda shqiperise bindini kancelarite e perendimit merni bekimin e mbeshtitjen e tyre bindini ata se keta qe i mbashtetet deri tani u talle me ju e me pas filloni punen pa mbeshtetjen e perendimit eshte e veshtire bpor jo e pa mundur

Leave a comment

Your email address will not be published.


*


Shpërndajeni Nëse Ju Pëlqen!