Lajme të Fundit

POTEMKINI NË SHKUP

Nga Fadil Lepaja

Grigorij Aleksandroviç Potemkin, ka më se dy shekuj që ka vdekur. Kolonizoi shumë vise të pushtuara nga Rusia cariste, përfshi edhe Krimenë, e cila sërish është bërë mollë sherri mes fuqive. Ndërtoi edhe qytete të tëra në viset e pushtuara. Në histori, mbeti i njohur për mashtrime. E keni parasysh metaforën për “Fshatrat e Potemkinit”?

E  Potemkini, për  arsye  tepër të qëndrueshme, kësaj radhe nuk ka ardhur vet në Shkup, për të rindërtuar fasadat me të cilat do të bindej Përfaqësuesja e Lartë  BE, se Maqedonia është një vend modern, se jeta atje rrjedh normalisht, dhe se të gjitha hezitimet euro-atlantike për të janë krejtësisht të panevojshme.

Qeveria maqedonase u përpoq të luante vet Potemkinin, përpara përfaqësueses së lartë të BE, të fliste për fasadat e reja të Shkupit, dhe jo për themelet dhe jetën në këtë vend, i cili, në pjesën më të madhe, ende nuk i ka përmbushur obligimet nga Marrëveshja e Ohrit.

Por, ç’ne Potemkini në Shkup, ky mjeshtër fasadash? A nuk i rrinin për mrekulli fasadat jugosllave, Shkupit? Në fakt, vitin 1963, një tërmet i fuqishëm kishte rrënuar 2/3 e ndërtesave të kryeqytetit të njërës nga gjashtë republikat e atëhershme jugosllave. Kështu edhe u rrënua pjesa më e madhe e identitetit të qytetit, i cili dikur ishte një nga qytetet më të mëdha shqiptare. Falë solidaritetit ndërkombëtarë dhe sidomos atij jugosllav, Shkupi u rindërtua, sidomos pjesa maqedonase, dhe u shndërrua në një (krye)qytet modern për kohën, me rrugë të gjera dhe ndërtesa të cilat i kishin  konceptuar arkitektët më në zë të ish Jugosllavisë. Me një fjalë, morri identitet krejtësisht jugosllav.

Por, tri dekada pas kësaj, Jugosllavia si krijesë artificiale, u rrënua, sepse popujt po ndiheshin tepër ngushtë dhe të shtypur  brenda saj, ndërkohë që republika e cila u shkëput pa luftë, si aleate e heshtur  e Serbisë, mbeti lakuriq, pa identitet. Kështu “Shkupi 2014” doli të jetë një përpjekje megalomane për të ndërruar identitetin e (krye)qytetit, e me këtë edhe të shtetit. Përjashtimi i shqiptarëve nga identiteti i ri shtetërorë, edhe pse dikur ata ishin popull shtet formues në ish-republikën jugosllave, krijoi themele krejtësisht të paqëndrueshme të cilat dridhen, në çdo fushatë  elektorale, duke e dridhur kështu krejt shtetin e brishtë, dhe duke trazuar rëndë marrëdhëniet në mes të komuniteteve kryesore.

U përfolën shifra prej 850  milion euro të cilat elita maqedonase i shpenzoi, për skulptura gjigande të personaliteteve, të cilat sipas mjeshtërve të fasadës identitare, paraqesin shtyllat  kombëtare e shtetërore të Maqedonisë. U rindërtuan fasadat e godinave  dhe u ndërruan pamjet e shesheve.  Pra, derisa po  ndërtonte fasadën e re të qytetit, dhe shtetit,  të cilën duhej tʼe shihte Mogherini, apo cilido përfaqësues tjetër perëndimorë, në të njëjtën kohë pushteti autoritar maqedonas me apo pa dashje po rrënonte themelet e shtetit duke përjashtuar i shqiptarët nga identiteti shtetëror i Maqedonisë.

Pra , Potemkini po ngjyroste fasada me ngjyra evropiane, duke mbuluar kështu marrëdhënien aspak të qëndrueshme mes popujve në Maqedoni dhe frymën aspak evropiane të bashkëpunimit dhe bashkëjetesës. Deklarimet e fundit dhe histeria e VMRO DPMNE, gjoja për gjuhën, shpërfaqë në formën më të keqe, ambicien e ideologëve të rinj/vjetër maqedonas që shqiptarët të i mbajnë edhe më tutje  si fajtorë kujdestar për gjithçka, dhe rrezikun kryesor për Maqedoninë. Pandërprerë vihen në dyshim besueshmëria, si dhe themelet e identitetit evropian të shqiptarëve atje, përmes fushatave të shpifura, qoftë në formë “enciklopedish” të rreme, apo rreziqeve të paqena për lidhjen e  shqiptarëve me islamin politik.

Mogherini iku, duke lënë pas mesazhet e sajë. Padyshim, ekziston arsyeja, dhe interesa gjeopolitike  që ky shtet të ekzistojë edhe më tutje, për të shërbyer si tampon zonë në mes disa popujve të pakënaqur me shtrirjen e vet gjeografike, dhe fuqive të cilat përmes tyre do të donin të  zgjeronin kufijtë e vet të ndikimit.

Ndoshta, elita maqedonase, herët apo vonë do të kuptojë se ekzistenca e kombit, dhe shtetit maqedonas gjithashtu, varet drejtpërdrejtë nga marrëdhënia e tyre me shqiptarët, të cilët, dorën në zemër nuk ndihen aq të kërcënuar nga madhështia e imagjinuar e pushtetarëve maqedonas. Toleranca, dhe urtia politike e shqiptarëve, më tepër se frikë, tregon sigurinë që buron nga marrëdhënia e re gjeopolitike në rajon, e cila përkundër të gjitha lojërave  me zjarrin, po e favorizon rilindjen, barazinë e popujve dhe frymën  evropiane.

Ju kujtohet, me siguri, ëndrra e bretkosës, të bënte garë me kuajt? E zgjati këmbën bretkosa, të i vinin patkoin e kalit, por nuk e përballoi dot. I përballojnë vendet e vogla, të cilët mezi e bëjnë një qytet të mesëm evropian, ambiciet perandorake? Identifikimi me perandor që pushtuan botën antike, a nuk ngjanë me një ëndërr të çmendur, jashtë kohës dhe hapësirës? Kryejnë punë fasadat e Potemkinit në Shkup? Është bërë Evropë Maqedonia, vetëm se i ngjyrosi në të bardha  ndërtesat e institucioneve, u ndërroi fasadat, bëri edhe “Portën triumfale” ….?

Qytetarët shqiptarë mendojnë se Maqedonia është interes i drejtpërdrejtë i tyre, sa edhe i maqedonasve. Nëse në  vend të Potemkinëve dhe fasadave të rreme , qeveria e re, zhvillon një proces të besueshëm të dekriminalizimit dhe  i rindërton marrëdhëniet e rrënuara mes dy popujve, mund të ndodhë fare lehtë që Maqedonia të kthehet në shtet model, të bashkëjetesës, për këtë pjesë të Evropës. Madje, falë pozitës së saj, kështu mund të ndodhë që ajo të i kalojë të gjithë në rajon, në procesin e integrimeve euro-atlantike.

Kjo, natyrisht, varet krejtësisht nga rruga që do zgjedh qeveria e re: fasadë apo realitet euro-atlantik!

Na Ndiqni dhe pëlqeni faqen tonë
0

1 Comment on POTEMKINI NË SHKUP

  1. Thanas L. Gjika // March 10, 2017 at 7:12 pm // Reply

    Pushtetaret maqedonas shquhen si sherbetore besnike te shovinizmit pansllav me qender ne Moske e Beograd. Si pasoje shqiptaret e atij shteti nuk kane gezuar te drejtat e tyre kombetare. Politika e fajesimit te shqiptareve per cdo gje qe nuk shkon mire ne Maqedoni do t’i shtyje shqiptaret e atjeshem te mbledhin mendjen se nuk u duhet me bashkejetesa me maqedonet, por u duhet shkeputja dhe bashkimi me atdheun meme, Shqiperine. Prishjen e ketij shteti po e nxitin vete pushtetaret e tij me kombesi maqedone, te cilet e urrejne popullin shqiptar…

Leave a comment

Your email address will not be published.


*


Shpërndajeni Nëse Ju Pëlqen!