Lajme të Fundit

SHTETI I QYQEVE DHE MËRGATA E HERONJVE – CFARË DUHET TË BËJË MËRGATA SHQIPTARE

MIRDIT TOSKA

Tani që jemi në kulmin e fushatës ndër gjërat e pashamngshme dhe që priten janë edhe thirrjet e partive drejtuar emigrantëve. Ndër të tjerë, sot edhe kryetari PS, z. Edi Rama, iu drejtua emigrantëve shqiptarë dhe bëri thirrje që ata të marrin telefonat dhe të thërrasin të afërmit e tyre dhe t’iu thonë që të votojnë Partinë Socialiste. Thirrja është e bërë me seriozitet. Edi Rama e di peshën e emigrantëve dhe e kupton rëndësinë e tyre. Dikur me përbuzje, mërgata quhej ‘Mërgata e Qyqeve” dhe shteti ishte i drejtuar, me demek, nga heronjtë. E vërteta tani është se shteti është “shteti i qyqeve” dhe i korbave, dhe mergata janë heronjtë e vërtetë të kombit shqiptar.

Cdo qeveritar e di mirë se sa peshë kanë emigrantët por më shumë se kushdo tjetër janë qeveritarët e shtetit kriminal anti-shqiptar. Emigrantët përbëjnë gjysmën e popullsisë së shtetit shqiptar. Ata mbajnë mbi kurriz peshën e vërtetë ekonomike të shtetit. Emigrantët janë heronjtë që kanë mbajtur gjallë familjet shqiptare duke sjellë, si para të pastra e të papastra, diku tek pesë-gjashtë miliardë dollarë në vit. Emigrantët janë në fakt ata që guxuan dhe morën rrugët e kurbetit për të ardhmen e familjeve të tyre. Ata janë më trima se trimat kudo, sepse trim I vërtetë është ai që shkon në vendin e huaj dhe ia arrin ku nuk ia arrin as vendaliu. Emigrantët tanë të sukseshëm janë më të ndershmit sepse nuk pranuan të bëhen pjesë e të keqes apo të shkelin ligjet në vendet ku jetojnë. Emigrantët që ikën shpesh ishin nga më të edukuarit e më të zotët dhe e gjetën veten në vendet e huaja. Emigrantët kanë lidhje, fuqi, para, dije, mundësi dhe janë një burim i gjithanshëm që nuk mund të injorohen nga shteti shqiptar. Për këtë thirrja e sotme që emigrantët duhet të influencojnë familjarët e tyre është e menduar mirë sepse pesha dhe influenca e tyre njihen mirë nga paria e Tiranës.

E megjithatë, emigrantët, të cilët e dinë peshën që kanë nuk e përdorojnë atë si duhet, kur duhet, dhe me mundësitë që iu krijohen. Shumë prej tyre, të ngrirë në mendësinë dhe në lidhjet që kanë pasur para se të iknin nga shteti shqiptar janë të paralizuar dhe nuk përzihen sepse ashtu janë mbrujtur nga paria dhe mekanizmat e fuqishme propagandistike të saj. Shumë të tjerë bëjnë zgjidhje oportuniste dhe japin para, mbështesin e votojnë pikërisht ata që ua kanë bërë më të zezën, marrin atobuzë, avionë e kthehen të bëjnë fushatë për parinë. Shumë të tjerë që i kuptojnë gjërat si duhet janë të përqëndruar në jetën që kanë krijuar ose që duan të krijojnë në shtetet ku jetojnë dhe qëllimisht e injorojnë shtetin shqiptar dhe gjithe problematikat e shumta me të cilat përballet shteti.

Ajo që emigrantët duhet të bëjnë dhe mund ta bëjnë pa shumë dhimbje është të ndjekin një rrugë e cila është në të mirën e të gjithëve. Duket e vështirë, por emigrantët duhet t’iu bëjnë thirrje të gjithë familjarëve të tyre që të mos votojnë në këto zgjedhje. Bojkotimi është vdekja e sistemit kriminal të parisë. Ama, nëse duan të shkojnë të votojnë, atëherë t’iu thonë e të kërkojnë provën se e kanë hedhur votën e bardhë dhe kundër parisë. Thuajini që shkruani emrat e heronjve të kombit, hidheni votën për Skënderbeun, Naim Frashërin, Hasan Prishtinën, Zef Jubanin, Konstantin Kristoforidhin, Petro Nini Luarasin, Stathi Melanin, Bajram Currin, Gjergj Fishtën, Mic Sokolin, Prek Calin, Preng Bibe Doden, e gjithkend që ka punuar për kombin. Mos votoni për parinë e Tiranës. Cdo votë për pariën, edhe një gozhdë në kryqin ku ju kanë ngulur ju dhe familjet tuaja.

Po ashtu, Mërgata duhet të ndalojë dërgesat e parave jotë domosdoshme (buka e gojës dhe ilacet) dhe të bëjë që të gjithë, ekonomia, shteti, shoqëria, parazitët dhe dembelët, drogaxhinjtë dhe veset të bien në gjunjë. Kjo lidhje ku mërgata kërkon dashuri e ata kërkojnë para, duhet të marrë fund. Dhe ky bojkot financiar është një mjet i fuqishëm politik. Dy muaj bojkot nga mërgata e ul në gjunjë parinë, sepse nuk ka para droge që e mban një shtet dhe familjet e panumërta që tani janë në një varfëri të thellë. Nëse duan kafshatën e gojës, atëherë njerëzit le të votojnë si don Mërgata që i mban me bukë e gjallë.

Përtej kotrollit të rubinetës financiare, mërgata ka tre mënyra që të ndikojë në poltikën shqiptare: me para, me dije dhe me njerëz. Mirëpo, ndytësia e përgjithshme e fëlliqësia e shoqërisë shqiptare të kaplluar në një marrëzi kombëtare të pashembullt, i bën paratë dhe dijen, pa njerëzit e duhur, krejt të pavlera. Prandaj, Mërgata duhet të punojë që të mbledhë djemtë e vajzat e duhura që duan të shkojnë e të ndryshojnë shtetin e qyqeve dhe ta bëjnë një shtet normal. Këta të rinj e të moshuar, sepse politika nuk bëhet me moshë, do të jenë zëri së vërtetës që kaq shumë iu mungon shqiptarëve. do të jenë pak, por do të jenë të dobishëm, të pavarur, të panjollosur, pa interesa në atë shtet dhe me dëshirën e mirë që të bëjnë shtetin e shqiptarëve.

Ka shumë djem e vajza që janë të gatshme që ta bëjnë këtë sakrificë. Prandaj edhe mërgata duhet të organizohet rreth shoqatave dhe strukturave të Mërgatës mbarëshqiptare që kanë vullnet të ndikojnë në politikë sic është Bleta Shqiptare por edhe organiztat e tjera që kanë lindur e do të lindin në Greqi, Itali, SHBA e gjithkund tjetër. Mërgata duhet të kuptojë se me pak ndihma e mbështetje, këto organizata do të gjallërohen dhe do të jenë në gjendje që të zbatojnë programin e vërtetë politik që iu duhet shqiptarëve, të mbështetur në atë që duhet të jetë Leva e Arkimedit, ndërtimi I shtet-kombit. Këtë program e gjeni tek MAnifesti Politik i Bleta Shqiptare. LExojeni, e në se bindeni, shpërndajeni dhe përkrahni përpjekjen për ndryshimin e duhur.

Këto zgjedhje i ka fituar paria e Tiranës. Tani lufta bëhet për zgjedhjet e tjera. Mirëpo si pema që këron të mbillet e të vaditet për vite para se të japë frut, edhe një përpjekje e tillë kërkon që Mërgata të ndërgjegjësohet për pashmangshmërinë e zgjidhjes politike, për vendin që ajo zë, e për rolin jetik që mund të luajë, dhe për mundësitë që ajo ka. Qyqet e korbat ua kanë zënë vendin shqiponjave dhe kanë bërë shtetin e qyqeve. Tani janë shqiponjat që kanë ikur që duhet të kthehen në folenë e vet për ta bërë shtetin e tyre. NJë detyrë shumë e mundimshme për Mërgatën shqiptare por jetike për kombin shqiptar.

Mërgata nuk duhet të dëgjojë zërat e mashtrimit e të ndjelljes me para që vijnë nga Tirana. Ata janë zërat e qyqeve që nuk kanë komb e familje. Mërgata duhet të dëgjojë zërin e ndërgjegjes, të zgjohet, dhe të bëjë atë që duhet. Zgjohuni, vetëdijësohuni, organizohuni dhe atëherë, e në këto kushte, vetëm atëherë, do të ketë vërtetë shpresë e të ardhme për kombin shqiptar, në shtetin që duhej të ishte shteti shqiptar por që tani është “shteti i qyqeve” që e kanë marrë peng dhe po ia hanë edhe kockat. Sepse deri në zgjedhje do të dëgjoni shumë thirrje, rrena e mashtrime, por mos i besoni sepse qëllimi I tyre është që t’ia hedhin edhe kësaj radhe, e qëllimi I jonë duhet të jetë që të bëhemi normal, një komb I nderuar midis kombeve të tjera dhe të kështu të kemi të ardhmen që duhet. Mërgata është e vetmja shpresë që kanë shqiptarët dhe kur ta kuptojmë këtë do të ndryshojmë historinë. Lumi shkatërron kur nuk është I përdorur si duhet. Por jep dritë e lulëzim, kur përdoret me mencuri. Kështu edhe me Mërgatën shqiptare. Ai ‘shteti I qyqeve” do të vazhdojë të jetë një tokë e shkretë në se Mërgata heq dorë e nuk bën atë që duhet për vete, për të ardhmen e për pse jo, edhe për të shkuarën sepse aty I kemi rrënjet e aty do të kthehemi se nuk kemi Atdhe e Komb tjetër.

 

 

Na Ndiqni dhe pëlqeni faqen tonë
0

1 Comment on SHTETI I QYQEVE DHE MËRGATA E HERONJVE – CFARË DUHET TË BËJË MËRGATA SHQIPTARE

  1. Vito Pasholli. // May 30, 2017 at 9:31 am // Reply

    Ky shkrim eshte nje pasqyre e realitetit ne Shqiper, eshte nje program i te gjithe Shqipetareve qe e duan Shqiperine,eshte nje mesazh optimist per te ardhmen . Eshte e vertete qe ne Shqiptaret qe jemi jashte vendit e duam shume Shqiperine , me pasterti,ndeshmeri,me humbje dhe e shikoj me rendesi te madhe zgjimin e Shqipetareve te ndershem kudo qe ndodhen. Eshte momenti qe cdo Shqipetar te ndergjegjesohet dhe te pyesi veten: C’mund te beje une per te ardhmen e Shqiperise? Mesazhi i Bleta Shqiptare eshte nje program pune per te gjithe. Te zgjohemi nga kjo letargji.Te marrim ne ne dore fatte e Shqiperise. Faleminderit Grid. Ky eshte nje falenderim qe gjithe shqiptaret e ndershem ta bene. Zoti ndihmofte Shqiperine. Dio benedica L’Albania.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*


Shpërndajeni Nëse Ju Pëlqen!