Lajme të Fundit

Te drejtat e grave

Nga Bledar Dika

E drejta e votes në origjinë ka qënë gjithnjë prerogativë e një pjese të meshkujve që i përkisnin aristokracisë dhe klerit, më tej vota do t’i shtrihej të gjithë meshkujve, ndërsa femrat përjashtoheshin nga kjo e drejtë me justifikimin që, meqënëse nuk kishin pavarësi ekonomike vota e tyre konsiderohej e lëkundëshme dhe e papërgjegjëshme. Gjatë Revolucionit francez, në 1789, femrat do të fillonin të angazhoheshin gjërësisht në lëvizjet revolucionare dhe të konsideroheshin jo vetëm si force numerike e cila shtonte rradhët e pjesmarrësve, por edhe si forcë politike.

Në këtë periudhë, të ashtëquajturat “tricoteuses”, do të fillonin të merrnin pjesë në mënyrë aktive në debatet e seancave të Asamblesë Revolucionare, duke arritur të paraqisnin formalisht, Cahier de Doléances des Femmes, një peticion nëpërmjet të cilit, kontestohej gjëndja e femrave dhe kërkohej njohja e të drejtave të grave.

Do të evidentohen në këto kohe personalitete të ndryshme femerore, të cilat do të tregonin aftësi të spikatura në luftën politike si dhe një angazhim  të pandërmjetësueshëm në luftën për fitoren e të drejtave të tyre politike.

Kështu mund të përmendim “skandalozen” Théroigne de Méricourt, e cila si pasoje e pjesmarrjeve aktive në ditët e Gushtit revolucionar të 1792, do të fshikullohej dhe turperohej në publik.

Një figurë tjetër e spikatur në këto kohë do të ishte vis-kontesha Madam Roland e cila si pasoje e aktivitetit të saj dhe ndikimeve të mëdha politike tek zhirondinët do të dënohej me vdekje pas rënies së këtyre të fundit. Gjatë rrugës drejt gijotinës mendohet të ketë shprehur frazën e famshme “oh liberté, que de crimes on commet en ton nom”.

Akoma më feministe, më aktive dhe emblematike në betejën e përfitores së të drejtave të grave do të ishte dramaturgia Olympe de Gouges, e cila në 1791, do të publikonte “Déclaration des Droits de la Femme et de la Citoyenne” në të cilën proklamohej e drejta e votës, mundësia e punësimit në ofiqet publike si dhe barazia formale e substanciale e grave me burrat. Veprimtaria e kësaj figure qëndrore në betejën e të drejtave të grave, aksioni i kësaj pionere në luftën e të drejtave politike të grave do të shuhej gjatë muajve të fundit të vitit 1793, ku si pasojë e kritikave që kjo e fundit do ti adresonte vetë Robespierit, do të shkaktonte një reagim të ashpër e fjalëmbytës që do t’i rezervonte si zgjidhje të vetme dhe përfundimtare tehun e gijotinës.

Në të njejtën kohë në Bretërinë e Bashkuar në vitin 1872 do të lindi lëvizja Sufragette, një lëvizje që kishte për qëllim fitoren e të drejtave politike të grave. Edhe pse vite më parë, saktësisht në 1835 me ligjin Comunal Corporations Act grave do t’i njihej e drejta e votës e limituar vetëm për zgjedhjet lokale, beteja për të drejtat politike të grave do të merrte një kurs të ri, më radikal e në të njejtën kohë më efikas nën drejtimin e Emmaline Pankhurst. Kjo e fundit nëpërmjet Women’s Social and Political Union dhe gazetës Vote for Women do të zhvillonte një betejë të paepur për fitoren e të drejtës së votës. Lëvizja Sufraggete në këto kohë do të ashpërsohej e radikalizohej me protesta, demostrata, greva urie deri në flijimin e jetës së protestuesve, ku mund të përmendim vdekjen e Emily Davison e cila do të humbte jetën në 1913 gjatë protestave të zhvilluara në qytezën Epsom. Lëvizja Sufraggete do të nxirrte frytet e saj në Shkurtin e vitit 1918 ku Parlamenti Britanik do të njihte me disa kufizime,  të drejtën e votës së grave. Gjithsesi vetëm në 1928, Britania e Madhe do të njihte zyrtarisht voten e gruas e kështu sufrazhin universal.

Edhe në SHBA beteja e gruas për të drejtat politike do të zhvillohej në të njejtat periudha si në Evropë. Në SHBA levizja Sufraggette do të njihte shoqata dhe figura të spikatura të botës femerore të cilat do të zhvillonin një beteje të vendosor për fitoren e të drejtës së votës. Në 1890 do të formohej National American Women Suffrage Association (NAWSA) shoqata me pjesmarrjen dhe ndikimin më të madh në levizjen për të drejtat e grave. Kjo shoqatë do të njihte figura të ndryshme të cilat do të pasonin njëra tjetrën përgjatë vepritarisë së saj. Kështu do të veçonim Susan B. Anthony (drejtuese nga 1890.-1900), Carrie Chapman Catt (drejtuese nga 1900-1904), gjithashtu nuk mund të lejmë pa përmendur Alice Paul e cila duke mos u pajtuar me qasjen e moderuar të aktivitetit të shoqatës dhe kërkesave të saj për një radikalizim të protestave dhe demostratave ashtu siç ishte vepruar në Angli, do të shkëputej nga NAWSA dhe bashkë me Lucy Burns do të themelonin në 1913 Congressional Union for Women Suffrage e cila në 1917 do të trasformohej në National Women Party (NWP). Të dyja këto lëvizje, pavarësisht mënyrës së betejes dhe ndonjeherë kontradiktave midis tyre, do të ishin faktorët kryesor që do të kërkonin e do të ndikonin në miratimin e amendamentit të 19 të kushtetutës së SHBA me 1920, amendament ky i cili do t’ë sanksiononte përfundimisht të drejtën e votës së gruas në SHBA.

Pas rishikimit të disave nga ekperiencat kryesore të përpjekjes së fitores së të drejtë së votës së grave, mund t’i ndajmë periudhat e arritjes së sufrazhit femëror në dy kategori kohore: 1)  në periudhën e fillim shekullit të XX, që fillon nga viti 1900 deri pas Luftës së Parë Botërore, ku vendet që do të njohin të drejtën e votës do të jenë kryesisht ato anglosaksone; 2) në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, ku vendet e dala nga konflikti boteror në konstituimin e rendit të ri juridiko-social do të njohin pothuajse në bllok të drejtën e votës së grave. Në këtë grup, i cili përbëhet më së shumti nga vendet e familjes juridike civil-law, bën pjesë edhe vendi ynë i cili do të sanksiononte juridikisht më 1946 me miratimin e Kushtetutës, të drejtën e votës së grave. Por le të shohim më në detaj përpjekjet shqiptare në përfitimin e të drejtave politike të grave e veçanërisht të drejtën e votës.

Ndryshe nga vendet perendimore, në Shqipëri, falë traditës zakonore, falë regresit social si pasojë e pushtimeve dhe shtypjeve shekullore, femra nuk ka gëzuar të njejtin progres emancipues si në vendet perendimore. Në fakt sipas kanunit të Lekë Dukagjinit femra shqiptare ishte jo vetëm e pabarabartë në çështjet sociale dhe jetën e përditshme, por ajo nuk zotëronte as të drejtën mbi fatin e saj.  Kështu fejesa i mbarsej nga zoti i shtëpisë dhe ajo jo vetëm që nuk mund të kundërshtonte, por jepej si nuse me “një fishek në shpinë”.

Pra, i jepej burrit e drejta edhe për  t’a vrarë  atë në raste të përcaktuara pa hyrë në gjak me familljen e gruas, e cila e kishte legjitimuar një vrasje eventuale, pikërisht me fishekun e dhënë.  Ndër të tjera, në pamundësinë e një trajtimi të gjërë të normativës kanunore rreth gruas, gjë e cila do të kërkonte një studim të dedikuar në një tekst dhe kontekst tjetër, është gjithësesi e rëndësishme të theksohet që gruaja shqiptare sipas kanunit konceptohej si një instrument që i vlente familjes, së idealizuar mbi baza të forta patriarkale. Femra kundrejt mashkullit konceptoj si një qënie inferiore fizikisht, e cila relacionalizohej me burrin për të kryer detyrën natyrale të prokreimit dhe për këtë ajo duhej të ishte pjellore.

Në fakt, kanuni parashihte edhe ‘martesën me provë’,  ku burri nëse gjatë një viti bashkëjetese me gruan, kjo e fundit  nuk ngelte apo nuk e mbyllte me sukses të paktën një shtatëzani, atëherë martesa mund edhe të zgjidhej. Në të njejtën mënyrë femra përjashtohej nga të qenit subjekt i gjakmarrjes pikërisht falë faktit sepse mund/duhej të përndiqte shtatëzaninë. Vetë martesa, dhe gruaja në martesë konsiderohej në këto terma nga kanuni: “Me u martue sipas kanunit do me thanë me u ba shpi, me ia shtue shpis nji rob ma tepër sa për krah të punëve e sa për t`i shtu fmit” (neni 28).

Përtej Kanunit dhe kohës së aplikimit në gërmë të tij, në shoqërinë shqiptare të fillim shekullit XX edhe pse familja kishte një rend patriarkal, në burrat shqiptarë gjithnjë qëndronte latente konsiderata ndaj gruas si nënë e bashkëshorte, si punëtore e si amvisë. Pavarësisht rolit predominant kundrejt burrit në çështjet e familjes ajo ende trajtohej e konsiderohej në terma diskriminuese. Kush  më mirë se Çajupi në vargjet e poezisë Fshati Im, mund të përshkruante statusin dhe rolin e gruas shqiptare në shoqërinë tonë të kësaj kohe. Në këtë sens është shumë domëthënëse ajo çfarë autori përshkruan:

Në fillimin e viteve 1900, më shumë se sa një vazhdimësi e së drejtës zakonore në diskriminimin e femrës, sjellja e burrit shqiptar, ose më mirë antagonizmi i tij, më shumë ngjante si një komedi se sa diçka e ndjerë me të vërtetë, një komedi e cila mbahej e pompozohej në publik në emër të një solidarizmi mashkullor të ngritur mbi disa stereotipe që e shikonin gruan si qënie inferiore. Flasim për komedi për disa arsye:

Në rradhë të parë, siç thamë edhe më lartë, femra shqiptare konsiderohej si një nënë jo vetëm në sensin e ngushtë të fjalës, por si nënë e gjeneratave të ardhshme, pse jo si nënë për kombin, pra, përtej kostumeve, folklorit apo hipokrizive të meshkujve, ajo,  konsiderohej si prokrejuesja e brezave të rinj;

Në rradhë të dytë, është paradoksi kohor, datat e diskutimeve të para parlamentare dhe fitores të të drejtës të votës së grave në Shqipëri, të cilat përkojnë me vendet më të zhvilluara oksidentale e dëshmojnë se si një vend i prapambetur ekonomikisht, istitucionalisht e demokratikisht të arrinte të kishte të njejtën qasje për votën e gruas në të njejtën kohë me vendet më demokratike në Evropë dhe përtej oqeanit.

Pertej rolit që burri shqiptar duhej të luante në këtë komedi, ai nuk ishte indiferent ndaj fateve politike të femrës shqiptare. Në vititn 1923, në të njejtën kohë me disa nga vendet më të zhvilluara të Europës, në seancat parlamentare ku diskutohej ligji elektoral për zgjedhjet e Asamblesë Kostituente, e drejta e votës së grave do të kishte një hapësirë të rëndësishme me diskutime të animuara midis mbështësve të kësaj të drejte dhe atyre kundër. Nga mbështetësit kryesorë të kësaj të drejte mund të përmendim Ali Këlcyrën, Stavri Vinjaun, Hilë Mosin, Luigj Gurakuqin dhe Fan Nolin. Në mbledhjen 21 të Këshillit Kombëtar të Datës 24 Shtator 1923, Ali Këlcyra, nën kundërshtitë dhe hilaritetin e sallës parlamentare, do të hapte diskutimet në favor të votës së grave. Duke nënvizuar pikërisht rolin e femrës shqiptarë si “nanë e njerzis” e duke evidentuar diskriminimin gjinor, ku ndërsa burrave analfabet i jepej kjo e drejtë dhe  grave të arsimuara i mohohej, ai do të kërkonte pikërisht që t’i jepej e drejta e votës atyre grave që dinin skrim e këndim. Me të njejtin qendrim, do të qaseshin edhe disktutantët e tjerë në favor të votës së grave si Mosi, Vinjau e Gurakuqi, ndërsa Noli  do të kishte një qasje universaliste e do të kërkonte votën jo vetëm për ato që dini të shkruanin e të lexonin, por për të gjitha gratë, pavarësisht arsimimit apo alfabetizimit të tyre. Fundi i kësaj seance, ku për herë të parë propozohej e kërkohej miratimi i të drejtës së votës së grave do të përfundonte me një rezultat, ku propozimi për votë universale do të merrte 18 vota pro, ai për votë të limituar të grave 15 vota pro dhe ai për mohimin e të drejtës së votës së grave do të merrte 33 vota pro.

Në këto rrethana do të shuhej prespektiva avantgarde e Shqipërisë për të njohur të drejtën e votës së grave në kohë rekord ashtu si vendet më të përparuara të perëndimit, megjithatë ashtu si në këto vende edhe në Shqipëri kjo e drejtë nuk do të ishte e dhuruar  por e fituar.

Varfëria e skajshme në të cilin ndodhej vendi e kërkonte gruan të lidhur dhe të ‘ngujuar’ në punë dhe në çështjet që duhet të çonin përpara familjen dhe shtëpinë, kështu që dhe proçesi i emancipimit politik dukej mjaft i ngadaltë, megjithëse diçka kishte lëvizur në këtë drejtim. Vlejnë për t’u kujtuar këtu përpjekjet e motrave Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi. Dy figura emblematike të intelektualizmit femëror shqiptar, të cilat me aksionin e tyre të shtrirë në një hark kohor që shkon nga viti 1891-1933 u angazhuan me frymë patriotike dhe energji të pashtershme në emancipimin e femrës shqiptare. Nëpërmjet hapjes së Shkollës së Vashave në Korçë (1891), themelimin e shoqërisë “Yll’i Mëngjesit” (1909)  e më pas periodikes me të njejtin emër “Yll’i Mëngjesit” (1917),  si dhe me hapjen e institutit të arsimit të mesëm femëror “Kyrias” (1922),  motrat Qiriazi mbeten të parat femra që u përpoqën të zvogëlonin atë hendek pabarazie që ekzistonte ndërmjet burrit dhe gruas në shoqërinë shqiptare.

Që nga mosmiratimi i të drejtës së votës në 1923, ngjarjet që vlejnë për t’u sinjaluar gjatë Republikës (1925-1928) e më pas gjatë Monarkisë Shqiptare (1928-1938) janë arkivimi i çështjes së të drejtës së votës së grave në asambletë legjislatve të kësaj periudhe.  Vetëm pas luftës së dytë botërore, falë angazhimit të grave shqiptare në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, atyre do t’i jihej e drejta e votës. Fillimisht në Deklaratën e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar të Shqipërisë mbi të drejtat e qytetarëve, të bërë në mbledhjen e dytë të KANÇ me datë 23 Tetor 1944 në Berat ku do të proklamoheshin “të drejtat e barabarta të gruas me ato të burrit, si në jetën politike të vendit ashtu në veprimtarinë shoqërore” gjithashtu do të parashihej që “të drejtën e zgjedhjes në Shqipërinë demokratike, të cilën të drejtë zgjedhësit do t’a ushtrojnë me votim të fshehtë, në bazë të së drejtës të zgjedhjes universale të njëjtë dhe direkte. Të drejtën e zgjedhjes dhe të drejtën për t’u zgjedhun e ka çdo qytetarë dhe qytetare që kanë mbushur 18 vjeç dhe që nuk janë çveshur nga kjo e drejtë […]”.

Në vitin 1946 me miratimin e Kushtetutës, Shqipëria do të njihte zyrtarisht të drejtën e votës së grave e kështu votën universale.

Nëse do të spekulonim rreth kësaj çështje mund të themi që njohja e të drejtës së votës së grave në Shqipëri duhet konsideruar më shumë se sa një rezultat i një parashikim doktrinal të ideologjisë komuniste, një fitore e vetë gruas shqiptare e cila falë angazhimit të saj në luftë e në çështjet shoqërore do t’a kalonte përkujdesin dhe përvijimin praktik të ideologjisë komuniste nga krerët partiak, të cilët me instaurimin e regjimit diktatorial, vetë votën e lirë, nga një  parashikim doktrinal e teorik do t’a trasformonin në një pratikë fiktive. Ndërsa  emancipimin e femrës, ashtu si të të gjithë shoqërisë ndër të tjera, do t’a zhvillonin gjithnjë e më shumë në kuadrin e realizmit socialist.

Në fillimet e viteve 90 me rënien e komunizmit, gruaja ashtu si dhe burri shqiptar do të ‘ripërfitonin’ të dejtën e votës, por gjithësesi gruaja do të vazhdoj të diskriminohet në termat e elektoratit pasiv. Në ketë sens mund të përmendim që: në zgjedhjet e para post-komuniste të vitit 1991 femrat gëzonin 3.6% të ulëseve të Parlamentit me 9 mandate nga 250 gjithsej; në zgjedhet e dyta  post-komuniste të vitit 1992 (legjislatura 1992-1996) femrat gëzonin 5.71% të ulëseve të Parlamentit me 8 mandatë nga 140 gjithsej;  në zgjedhjet parlamentare të vitit 1996 femrat gëzonin 12.14% të ulëseve të Parlamentit me 17 mandate nga 140 gjithsej; në zgjedhet parlamentare të vitit 1997 (legislatura 1997-2001) femrat gëzonin 5.16% të ulëseve të Parlamentit me 8 mandatë nga 155 gjithsej;  në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 (legjislatura 2001-2005) femrat gëzonin 5.71% të ulëseve të Parlamentit me 8 mandatë nga 140 gjithsej; në zgjedhet parlamentare të vitit 2005 (legjislatura 2005-2009) femrat gëzonin 7.14% të ulëseve të Parlamentit me 10 mandatë nga 140 gjithsej, në zgjedhet parlamentare të vitit 2009 (legjislatura 2009-2013) femrat gëzonin 16.43% të ulëseve të Parlamentit me 23 mandatë nga 140 gjithsej, në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2013 që përkojnë me legjislaturën aktuale femrat fituan 17.85% të ulëseve të Parlamentit me 25 mandate nga 140 gjithsej.

Se fundmi ajo qe vlen për t’u theksuar është fakti që, pavarësisht vështirësive dhe kalvarit në të cilin është ndeshur  rrugëtimi i përfitimit të drejtave politike të grave, gjithnjë e më shumë e më mënyrë progressive gratë po zvogelojnë atë hendek që mbizotëronte ndërmjet tyre dhe meshkujve. Në këtë sens mund të evidentojmë angazhimin gjithnjë e në rritje të femrave në politike dhe në mbulimin e ofiqeve publike duke filluar nga postet e nivelit të dytë, të atyre ministrore si dhe të posteve të larta të Shtetit si Kryesia e Parlamentit shqiptar nga 2005-2013. Gjithashtu një aspekt tjetër domethënës është përcaktimi i “kuotave rozë”, pikërisht neni 67 i Kodit Zgjedor cilëson që “për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe një në tre emrat e parë të listës shumemërore  duhet t’i përkasë secilës gjini”. Në rast të kundërt, Kodi Zgjedhor sipas nenit 175 sanksionon subjektet politike me gjobë. Në rastet kur në një zonë, në të cilën është konstatuar mosrepektimi i kuotës gjinore, mandatet e fituara ndërpriten ose ka vakanca, ato zëvëndësohen me kandidatët vijues në listë nga gjinia më pak e përfaqësuar deri në plotësimin e kuotës gjinore. Zgjedhjet e fundit parlamentare janë një shembull i aplikimit të këtyre dispozitave,  mjaft të rikujtojmë gjobitjen e Partive kryesore në vend, PS, PD dhe LSI si dhe zëvëndësimin e vankancave të krijuara nga ‘dorëzimi’ i mandatit nga ministrat i Shkëlqim Canit dhe Damian Gjinkurit.

Pavarësishtë se kjo normë mundohet të prodhoj një përfaqësim më të lartë të grave në parlament se më parë, ajo gjithësesi sanksionon de jure pabarazinë midis grave dhe burrave, kur në vend që të citoj që në listat shumëemërore gjysma e saj, pra 50%, të përbëhet nga femra dhe që ne katër kandidatët e parë 2 të jenë femra, ajo siç pamë më lartë i lë femrat në kuotën e 30% dhe një në tre kandidatet e para të jenë femra. Barazia formale që do duhej të sanksiononte norma do të ishte ajo që kemi sygjeruar më lartë, ndërsa barazia substanciale do të përfitohej nëse partitë që nuk respektojnë normat e përcaktimit kuotave mos të dënohen thjesht me gjobë, por me masa më shtrënguese.

 

 

Na Ndiqni dhe pëlqeni faqen tonë
0

1 Comment on Te drejtat e grave

  1. armand rrudha // March 10, 2017 at 3:32 pm // Reply

    Megjithese e ka nisur analizen e problemit te te drejtave te grave,qe disa shekuj me pare,perfundimisht,e ka trajtuar problemin bazuar ne konceptet ateiste komuniste.Kur gazetaret,e pyeten nje mjek te nderuar si edhe filozof,perse ti,ate qe pretendon per veten tende,nuk e pranon per gruan? Mjeku filozof,ju pergjigj:Ne nuk jemi njesoj,sepse nuk na krijuar zoti njesoj.Trajtimii burrit dhe gruas,njesoj,madje duke privilegjuar gruan,eshte nje psikollogji dhe ideollogji ateiste komuniste,shume spekullative,qe kerkon te abuzoje me faktin,se grate jane gjysma e popullsise.Tipik,eshte E.Hoxha,me fjalimin e tij,ne plenumin e Shkurtit 1967;Lufta per emancipimin e gruas,kundra akoneve prapanike dhe mbeturinave fetare.Qellimi ka qene,jo per ti respektuar dhe nderuar grate,por per ti perdorur,per qellime politike.Kasta e sotme kriminale,po i privilegjon hapur,perseri per ti perdorur,per perçarjen e familjes shqiptare.Askush nuk mund ti respektoje dhe nderoje grate,me shume se burri i ture.Shikoni se çbejne baballaret per vajzat e tyre?!Ne shkolla,ka me shume vajza ,se djem.Horrat e kastes dhe prostitutat e tyre,predikojne perdite,qe femrat te jene te privilegjuara,ne raport me meshkujt.Kjo si vazhdim,i ideollogjise se Enver Hoxhes:Grate,jane nje force e madhe pune.Horrat e kastes,e kane konvertuar ne:Grate ,jane nje force e madhe vote.Kaq per sonte,per autorin.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*


Shpërndajeni Nëse Ju Pëlqen!