Lajme të Fundit

Bretkosa e Markovit dhe Basha*

Nga Ahmet Dursun

Andrei Markov lindi në vitin 1856 në Rusi. Që fëmijë, i pëlqente t’i shumëzonte gjërat, t’i përpjestonte, e pastaj t’i zbriste e në fund t’i mblidhte…Që kur ish adoleshent, zhytej në mendime të thella dhe pyeste veten “Matematika vallë, është shpikje, apo zbulim?!” Andrei dallonte prej bashkëmoshatarëve të tij, qëndronte larg tyre me shpresën se një ditë dikush do ta dallonte atë!

Vërtet erdhi dita dhe njerëzit e Carit e dalluan dhe e morën me vete në Moskë. E regjistruan në shkollë, i dhanë një shtrat në konvikt dhe libra të trashë që të ushtrohej. Me një vullnet të krahasueshëm veçse me atë të Katherinës, mbaroi shkollën përsëri i dalluar… u bë matematicien.

Andrei ishte shumë mirënjohës ndaj Carit, fundja Cari e kish sjellë nga ana e anës. Shkollë, shtrat, shtëpi…punë, tallona, vaj guri…madje shpesh shokëve të vet, u thoshte “po ta takoj Carin, 6 muaj nuk kam për ta larë dorën”.

Industrializmi kish ngritur krye dhe Andrei e kuptoi se ishte koha të shpikte një teori që të përmendej bashkë me mbiemrin e tij, Markov. Përpiqej natë e ditë që matematikën ta përshtaste me rendin e ri ekonomik të asaj kohe dhe t’i sillte dobi Carit.

Por, nuk po ia dilte. Çfarëdo që të bënte, asnjë eksperiment nuk po jepte rezultat. Kalonin ditët, javët, muajt, vitet…pa asnjë teori. Kishte një vuajtje therrëse sidomos kur i lante duart, e sidomos dorën e djathtë që asnjëherë nuk e kish takuar dorën e Carit.

Si çdo vit, një ditë korriku, para se të zbardhej, u nis në bregun e preferuar të lumit me gurë e shkëmbinj. Kur mbërriti atje, dielli prej kohësh ishte bërë i padurueshëm. Pa majtas, djathtas, nuk kish xhan xhin…Hoqi rrobat dhe mbajti vetëm mbathjet të ngjashme me ato të profetëve dhe filloi të qëndrojë mbi ujë si çdo vit. Pasi u bind se kish ndenjur më shumë se sa një vit më parë, doli dhe u shtri mbi një shkëmb të lëmuar ngjyrë blu…Iu kujtua përsëri pyetja “matematika, është shpikje, apo zbulim?!” Pastaj dështimet një pas një të eksperimenteve, mbiemri, lodhja…sytë iu ndalën te dora e djathtë dhe kapi gurin më të afërt dhe e hodhi gjithë inat në lumë.  Mirëpo, guri para se të mbërrinte në ujë, u përplas me një nga shkëmbinjtë dhe nga zhurma e gurit një bretkosë kërceu mbi shkëmbin më të afërt…

Andrei nisi ta vështrojë bretkosën…ajo pasi qëndronte disa minuta mbi shkëmb, nuk e duronte dot nxehtësinë dhe hidhej te një shkëmb tjetër. Pas ca minutash te tjetri, tjetri. Askush nuk mund ta dinte me saktësi cilin prej shkëmbinjve do të zgjidhte bretkosa për kërcimin tjetër. Andrei u ngrit me ulërima shurdhuese dhe nga lumi deri në Moskë vrapoi me mbathje… Pikërisht, atë ditë zbuloi proçesin stokastik ose e thënë ndryshe me shqipen në modë të këtyre ditëve ‘’yryshin me tafmina’’( anglisht: Markov chains).

Sot, opozita e Z.Basha është duke bërë veçse lëvizjet e bretkosës së Markovit. Jo vetëm militantët e thjeshtë, por as vetë Kryesia e Partisë Demokratike nuk po arrin të kuptojë se cili do të jetë hapi tjetër.  Në një vend ku opozitarizmi imiton bretkosën e Markovit, mund të instalohet lehtësisht deri edhe diktatura; aq më tepër kur një opozitë flet për gjërat që deri dje i kishte vetë në dorë…

Të flasësh për krimin, kur gratë edhe për të nderë rrobat në ballkon, filluan të heqin varëset, byzylykët, vathët! Të flasësh për drogën, kur edhe furra e lagjes me të blerë dy bukë të zeza, të falte një “cigare”! Të flasësh për karrotrecët, kur këto turreshin në rrugicat e Tiranës për t’i ngritur veturat që ktheheshin prej vakive! Të flasësh për ekonominë, kur paraja prej vitesh bën striptizë në xhepat e qytetarëve të ndershëm! Të flasësh për fenë, kur ndër vite rendi ngjason me atë të faraonëve! Të flasësh për doganat, kur hyrjet-daljet u bënë aq të lira si qerhanet ditë Bajrami në Turqi! Të flasësh për korrupsion, kur asnjë zyrë e shtetit nuk pranonte porosi të ndershme! Të flasësh për turizmin, kur për të fjetur “5 milion’’ turistë, janë veçse 30 mijë shtretër në gjithë vendin! Të flasësh për lirinë e fjalës, për mediat, kur udhëzimi ishte “askush mos të dëgjojë, mos të shohë, mos të dijë”.

Gjithë këto e shumë të tjera, janë shkëmbinjtë përvëluese poshte këmbëve të opozitës së z.Basha. Mënyra më e drejtë, efikase dhe frymëzuese që e ka në dorë vetë z.Basha është ta tërheqë opozitën në ujërat e freskëta të lumit, pasi kjo ndihmon në adoptimin e rolit të ri, rolit që ia besoi vullneti i votuesve…Përndryshe ç’mund të ndodhë? Macja e Schrodingerit siç hëngri 2 deri tani, do vazhdojë t’i hajë edhe të tjerët… një nga një…

*Botuar fillimisht me 6 Nentor 2013, ribotohet me lejen e autorit.

Na Ndiqni dhe pëlqeni faqen tonë
0

Leave a comment

Your email address will not be published.


*


Shpërndajeni Nëse Ju Pëlqen!